Kërkohet dënimi i Shpresim Ukës

Dëshmitari Ismet Arifi, nw rastin Bllaca II, i ka thwnw gjykatës se “ekziston më shumë se dyshimi i bazuar” se pesë të pandehurit “në krye me Shpresim Ukën” e kishin sulmuar në banesën e tij duke ia rrezikuar jetën atij, gruas dhe djalit të mitur.
Në objektin e Gjykatës Komunale në Prishtinë, u mbajt seanca e fundit në çështjen e njohur si Bllaca II, ku si të pandehur janë Shpresim Uka, Shaban Syla, Bekim Syla, Driton Hajdari dhe Sadik Abazi.
Pas gati një viti, shumë seancave të mbajtura dhe dëgjimit të shumë dëshmitarëve, gjykata kishte pranuar me shkrim fjalët përfundimtare të prokurores Emma Rizzato dhe mbrojtësve të të pandehurve, shkruan gazeta Jeta në Kosovë.
Kolegji i gjykatësve u dha mundësi prokurores dhe mbrojtjes që t’i përgjigjen njëri-tjetrit në atë që kishin thënë ose të shtonin diçka që kishin harruar në fjalët e tyre.
Në seancë ishte edhe i dëmtuari Ismet Arifi, të cilit po ashtu iu dha fjala përfundimtare menjëherë sapo prokurorja e përfundoi atë.
Arifi tha se me shumë vëmendje i kishte ndjekur seancat e po ashtu edhe deklarimet e dëshmitarit Nazim Bllaca.
“Gjykatë, ekziston më shumë se dyshimi i bazuar se këta të pandehur në krye me Shpresim Ukën, që më sulmuan në banesën time, ma rrezikuan jetën mua, gruas time dhe djalit tim i cili ishte i mitur në atë kohë”, tha Arifi.
“Këta persona më sulmuan fizikisht dhe me armë zjarri. Shpresim Uka është personi kyç që e ka organizuar këtë grup...duke caktuar Fahredin Gashin si roje tek dera e banesës, Sadik Abazin, Driton Hajdarin dhe Bekim Sylën që të vin tek dera e banesës sime. Shprsim Uka dhe Nazim Bllaca ishin pozicionuar në pushimoren e shkallëve”, tha Ismet Arifi, i dëmtuari në këtë rast.
Arifi pati edhe propozime për gjykatën. Fillimisht kërkoi që të pandehurit të dënohen pasi të nxjerren të gjitha provat. Ai kërkoi edhe paraburgimin e të pandehurve deri kur të nxirret aktgjykimi.
Shpallja e aktgjykimit në këtë çështje do të bëhet të hënën në orën 14:00./Indeksonline/