Kërkohet mbyllja e procesit ndaj Albin Kurtit

Prishtinë, 15 Shkurt - Këshilli Kundër
Procesit Gjyqësor ndaj liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kërkuar
sot që procesi gjyqësor i rihapur nga EULEX-i, të mbyllet sepse ky proces
dëmton funksionimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë.
Ky Këshill i përberë nga 40 organizata
joqeveritare, gjatë një konference për media, ka bërë të ditur se këto kërkesa
për mbylljen e procesit ndaj Kurtit, do tua adresojë edhe institucioneve më të
larta të Kosovës.
Duke folur në emër të këtij Këshilli, Valon Murati tha se apeli do tu
drejtohet edhe institucioneve ndërkombëtare duke thënë se ky është proces i
montuar politik.
Procesi ndaj Albin Kurtit është paralajmëruar të fillojë nesër në ora 10:00. Të
njëjtën kohë, ky Këshill ka thënë se do të fillojë nënshkrimi i një peticioni
nga ana e qytetarëve kundër gjykimit të Albin Kurtit.
Kështu, pikërisht në trevjetorin e vrasjes së Arben Xheladinit e Mon Balajt dhe
të plagosjes e keqtrajtimit të sa e sa demonstruesve të tjerë, riaktualizohet,
tani nga EULEX-i, akuza ndaj Albin Kurtit si fajtor për ngjarjen e 10
shkurtit.
Riaktualizimi i këtij procesi të padrejtë e jodinjitoz është fyerje për të
gjithë ne që kemi parë me sytë tanë se çndodhi më 10 shkurt 2007 në rrugët e
Prishtinës, të cilat, si pasojë e dhunës së pajustifikuar të policisë
ndërkombëtare, u lanë me gjak.
Tashmë dihet fare mirë se dhunë më 10 shkurt 2007 nuk ushtruan demonstruesit
paqësorë e duarthatë, por pjesëtarët e policisë së armatosur deri në dhëmbë të
UNMIK-ut dhe konkretisht njësiti i policisë rumune, i cili u kthye i pandëshkuar
andej prej nga kishte ardhur, - tha Dejona Mihali nga Këshilli kundër Gjyqit të
Albin Kurtit në një prononcim për agjencinë NOA.
Demonstruesit e 10 shkurtit shfrytëzuan të drejtën e tyre elementare për të
manifestuar vullnetin politik në rrugë paqësore, kurse (ri)gjykimi i njeriut që
ishte në krye të manifestimit tregon se Kosova, edhe pas shpalljes së
Pavarësisë dhe vendosjes së Misionit të BE-së, është larg të qenit shoqëri ku
Drejtësia është në shërbim të qytetarit e ku garantohet e Drejta e Fjalës, dhe
e Drejta e Organizimit Politik.
Ne konsiderojmë se procesi kundër Albin Kurtit përfaqëson dhunë të hapur ndaj
fjalës së lirë, ndaj ndërgjegjes politike, jo vetëm ndaj z. Kurti, por ndaj çdo
intelektuali të aktivizuar në betejën e përbotshme për fjalën e lirë.
Për të gjitha këto kërkojmë që të hiqet dorë nga ky proces dhe të mbyllet
menjëherë procedura për ndjekjen e mëtejshme të liderit të Lëvizjes
Vetëvendosje! - zotit Albin Kurti.
Në fund, është kërkuar që të fillohet dhe një
proces i pavarur i hetimeve, qoftë edhe ndërkombëtar për ngjarjet e 10 shkurtit
të vitit 2007, në mënyrë që të zbulohen përgjegjësit penal për vrasjen e dy
aktivistëve të Vetëvendosjes, Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, si dhe plagosja
e më shume se 80 personave të tjerë.
a.b/NOA