Shtyhet në 22 shkurt gjykimi ndaj Albin Kurtit

Prishtinë, 15 shkurt, NOA Update - Një panel i
përbërë prej gjykatësve të EULEX-it dhe gjykatësve të Kosovës, ka vendosur në
seancën e sotme gjyqësore kundër liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin
Kurti, që gjykimi i tij të shtyhet për datën 22 shkurt 2010. Një lajm i tillë
sapo është bërë me dije nga zyra për informim e misionit të Bashkimit Evropian
për forcimin e sundimit të ligjit (EULEX).
Nga ana e tij, Albin Kurti nuk i është
përgjigjur ftesës për të marrë pjesë në gjykim, duke e cilësuar si të padrejtë
tërë procesin.
Arsyeja e shtyrjes ishte që të pandehurit ti
jepet një kohë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e tij, në përputhje me
dispozitat relevante të kodit të procedurës penale. I pandehuri Kurti ishte
ftuar në gjykatë me datën 9 shkurt 2010, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Nga ana e tij, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje
Albin Kurti ka pohuar se nuk ka as dëshirë dhe as interes të bëhet
bashkëpunëtor me atë që ai e quajti padrejtësi të zhvilluar ndaj tij.
Nuk dua ta pranoj të gjithë procesin, të
cilin po e inicion sistemi i tyre. Policët rumunë të UNMIK-ut, që më 10 shkurt
të vitit 2007, vranë Arben Xheladinin dhe Mon Balajn, si dhe plagosën 80
protestues të tjerë, ndërsa këta merren me mua me qëllim të disiplinimit politik,
me qëllim të kontrollit të situatës politike nëpërmjet izolimit tim, tha
Kurti.
n.e/NOA