E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: E tashmja politike, e komplikuar

Rrëfehet diplomati amerikan në prag të mbylljes së mandatit dhe largimit nga Tirana
E tashmja politike në Shqipëri është tepër e komplikuar, ndërsa e ardhmja e shndritshme. Ky ishte konstatimi që bëri ambasadori amerikan në Shqipëri John Withers, gjatë një interviste televizive të dhënë për gazetarin Alfred Peza në emisionin “Ora e intervistës”. Në një rrëfim personal për jetën e tij dhe të qenët një afro-amerikan, ambasadori Withers u prononcua edhe për atë çfarë aktualisht po ndodh me politikën në vendin tonë. “E tashmja politike në Shqipëri, sikurse ju e dini më mirë se sa unë, është e komplikuar. Por unë mendoj që gjëja më e rëndësishme është që e ardhmja e Shqipërisë është shumë e shndritshme, është e ndritur”, theksoi Withers. Sipas tij, shqiptarët janë një popull që ka kaluar përmes një sistemi komunist të tmerrshëm 50-vjeçar dhe pavarësisht kësaj, në 20 vitet e fundit ka ecur me shpejtësi të madhe drejt zhvillimit. Për të përligjur sigurinë e tij për të ardhmen e ndritur të Shqipërisë, Withers përmend si prioritet edhe pozitën gjeografike të vendit tonë. “Do të rriten avantazhet e gjeografisë së Shqipërisë, me gjithë këto porte të bukura, me daljet në det, me gjithë këtë infrastrukturë të zhvilluar që ka për ta lejuar Shqipërinë edhe njëherë sikurse ka qenë në të shkuarën, që të mund të bëhet një udhëkryq për tregtinë dhe kulturën”, parashikon ambasadori, i cili prej tre vitesh është pjesë aktive e politikës shqiptare. Por të ardhmen e shkëlqyer ambasadori e shikon edhe te rinia e Shqipërisë. Sipas Withers, nga eksperiencat personale që ai ka pasur me të rinjtë e vendit tonë ka kuptuar se e ardhmja jonë do të jetë e sigurt. “E ardhmja qëndron te të rinjtë dhe ajo që të rinjtë dëshirojnë për këtë rajon, që dëshirojnë për mbarë botën, është ajo që ka për të qenë. Ndërsa unë shikoj këta rinj dhe ndërsa bisedoj me ta dhe kam pasur mundësi t’i njoh, mendoj se e ardhmja e Shqipërisë është në duar të sigurta, në duar tejet të sigurta”, siguron ambasadori i SHBA-së në vendin tonë. Nga ana tjetër, Withers thekson se për zhvillimin sa më të mirë dhe demokratizimin e një vendi është e nevojshme që të jetë e sigurt edhe pavarësia e institucioneve. Duke bërë paralelizma të jetës politike amerikane me atë shqiptare, Withers theksoi se Presidenti Barak Obama dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë i kushtojnë rëndësi më të madhe pavarësisë së institucioneve dhe këtë gjë duhet të bëjnë edhe politikanët shqiptarë. Po kështu, ambasadori foli gjatë për fëmijërinë e tij, jetën personale, prindërit dhe u ndal në vështirësitë që një familje afrikano-amerikane ka hasur në SHBA. Por, sipas Withers, situata ka ardhur gjithmonë duke u përmirësuar për të drejtat dhe liritë e njerëzve me ngjyrë, duke kulmuar me zgjedhjen e Presidentit amerikan të Barak Obamës. Withers flet edhe për arsimimin e tij, i cili përshkon universitetet e famshme amerikane dhe botërore, si Harvard dhe Jell. Po kështu, ambasadori amerikan tregon se është në fund të mandatit të tij dhe flet mbi mënyrën se si pritet të zëvendësohet në vjeshtën e këtij viti. Duke mos preferuar të flasë për emrin e ambasadorit të ri të SHBA-së në Shqipëri, ai thekson se ajo që është e sigurt lidhet me faktin se do të jetë një figurë e shkëlqyer, duke ecur në eksperiencat e mira të ambasadorëve të mëparshëm në vendin tonë. Po kështu, Withers thekson se ende nuk ka vendosur se çfarë ai vetë do të bëjë kur të lërë detyrën e ambasadorit të Shqipërisë. Një opsion sipas tij është edhe dalja në pension, e cila do t’i japë mundësinë të qëndrojë afër familjes dhe po kështu të ketë kohë për të shkruar dhe për të studiuar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›