E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet nga FBI, do ekstradohet në SHBA

Vendimi
Gjoka i kërkuar nga hetuesit amerikanë për trafik droge, pranoi gjatë gjykimit ekstradimin për në Nju- Xhersi

TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, pranoi kërkesën e FBI-së amerikane për ekstradimin e shtetasit shqiptar Gazmir Gjoka drejt SHBA-së i dyshuar për kryerjen e veprës penale të "shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike" në bashkëpunim.

Ka qenë kërkesa e zyrës së marrëdhënieve me jashtë pranë Prokurorisë së Përgjithshme të cilët me kërkesë të autoriteteve të drejtësisë amerikane kanë kërkuar nga togat e zeza ekstradimin për në SHBA të shtetasit shqiptar Gjoka, për tu përballur me akuzat e ngritura ndaj tij nga shteti i Nju Xhersit (Neë Jersey).

Por, edhe i arrestuari Gjoka i shpallur në kërkim nga FBI-ja që nga marsi i 2009 por i arrestuar vetëm në nëntor 2009 në Shqipëri, që ka pranuar ekstradimin duke u shprehur se "dua të ekstradohem që të përballem me akuzat ndaj meje".

Kështu, togat e zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë të kryesuar nga gjyqtari i vetëm Ridvan Hado ka vendosur pranimin e kërkesës së ekstradimit në përputhje me ligjin për "Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale" si dhe traktatin e ekstradimeve mes Mbretërisë Shqiptare dhe SHBA-së të bërë në 1 mars të vitit 1933.

Pritet që brenda 15 ditësh, nëse ky vendim i ekstradimit nuk ankimohet pranë Gjykatës së Apelit, vendimi i ekstradimit të marrë formën e prerë dhe më pas autoritetet e drejtësisë amerikane ta marrin në dorëzim 56- vjeçarin Gjoka që mendohet se ishte pjesë e një grupi kriminal që merrej me "shitjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike" në bashkëpunim.

Madje ky grup kriminal ku mendohet se bënte pjesë edhe Gjoka, dyshohet se kishte trafikuar heroinë në SHBA nga Evropa në mënyra të ndryshme ilegale bashkë me "anëtarët" e tjerë të kësaj "bande" e përbërë prej 28 personash të arrestuar dhe proceduar nga autoritet e Nju Xhersit dhe Floridës.

Sipas kërkesës për ekstradim me nr. 355 Gazmir Gjokës njihet nga autoritete e FBI-së edhe me emrat e tjerë si Albin Kosova, Gus Gjoka, Alban Gazimiri, Alban Gjoka apo Alban Kosova.

Pas arrestimit të pjesës më të madhe të të dyshuarve në SHBA, autoritetet e FBI-së gjeten dhe sekuestruan edhe dy aeroplanë të vegjël që përdoreshin për transportimin e drogës nga Nju Xhersi në Florida. Aeroplanët e vegjël mësohet se u gjetën dhe u sekuestruan, njëri në aeroportin "Linkoln Park" të Nju Xhersit dhe aeroplani tjetër në "Hartford Breinard" të Konektikatit. Si dhe mbi 500 mijë dollarë amerikanë, 30 mijë pilula ekstazi, 2.5 kilogramë heroinë, si dhe 25 pistoleta nga të dyshuarit e arrestuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›