E Diel, 1 Nëntor 2026

Në 13 komuna, shkollat pavarësohen financiarisht

Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë, e kënaqur me tri shkollat e para që ishin përfshirë në projektin pilot për autonomi financiare, shpalli sot se buxhet dhe financim në nivel shkolle, nga tash e tutje do të kenë edhe shkollat e 10 komunave të tjera.

Ndërsa deri në vitin 2011, pritet që autonomi të plotë financiare të kenë të gjitha shkollat në vend, u bë e ditur gjatë një takimi që ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, pati sot me drejtorët e shkollave të vendit.

“Formula e re e financimit parauniversitar ka krijuar një bazë të mirëfilltë legale që të gjitha shkollat e Kosovës ta kenë autonominë e plotë financiare të tyre. Rezultati i kësaj ka qenë autonomi edhe administrative, edhe financiare, si formë e delegimit të buxhetit edhe të financave nga pushteti qendror përmes Komunës, direkt në shkollë”, ka thënë ministri Hoxhaj, transmeton KosovaPress.

Shkollat në komunën e Gjilanit, të Istogut dhe atë të Kaçanikut, më 2009, ishin të parat që u pavarësuan financiarisht. Ndërsa nga sivjet, atyre u bashkohen edhe 10 komuna të tjera: Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova, Suhareka, Shtimja, Podujeva, Klina, Ferizaj dhe Mitrovica.

MASHT-i thotë se përmes autonomisë financiare synohet ngritja e cilësisë së shërbimeve në shkollë, që drejtorët, zyrtarët e shkollave mos të ballafaqohen me procedura të lodhshme në komunë, por të kenë një mundësi të plotë që të reagojnë ndaj nevojave reale që ka shkolla.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›