E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet një President, pas Nanos PDS shpall Neritan Cekën

Listës “ kërkohet një President” tashmë i është bashkangjitur një tjetër figurë politike, i dyti në radhë pas të vetëshpallurit Fatos Nano. Partia Aleanca Demokratike zyrtarisht ka propozuar sot emrin e presidentit të kësaj partie, Neritan Ceka si kandidat për garën presidenciale. Gjatë një konference për shtyp, përfaqësues të kësaj partie kanë deklaruar se emri i Cekës ka shanse të mëdha për të qenë një emër i mbështetur nga të gjitha palët.

Po si e përcakton Kushtetuta zgjedhjen e Presidentit?

Në bazë të nenit 87 të Kushtetutës, kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi me një shumicë prej tri të pestave të të gjithë anëtarëve të tij. Kur në votimin e parë nuk arrihet kjo shumicë, brenda 7 ditëve nga kryerja e votimit të parë bëhet një votim i dytë. Në rast se edhe në votimin e dytë nuk arrihet kjo shumicë, brenda 7 ditëve bëhet një votim i tretë. Kur ka më shumë se dy kandidatë dhe asnjëri prej tyre nuk ka marrë shumicën e kërkuar, brenda 7 ditëve bëhet një votim i katërt ndërmjet dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave. Në rast se edhe në votimin e katërt asnjëri prej dy kandidatëve nuk ka marrë shumicën e kërkuar, bëhet një votim i pestë. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjëri prej dy kandidatëve nuk ka marrë shumicën e kërkuar, Kuvendi shpërndahet dhe brenda 60 ditëve bëhen zgjedhjet e reja të përgjithshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›