Korrektimi i sistemit zgjedhor, Milo: Me firmat e 26 partive, Berisha nuk ka si e dredh

Paskal Milo
Firmat e 26 partive për korrektimin e sistemit zgjedhor nuk i lënë vend Berishës për ta dredhur. Kështu është shprehu kreu i partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të kësaj force, e mbajtur në 9-vjetorin e themelimit.
Milo u shpreh optimist se ajo çka ka shqetësuar prej kohësh partitë e vogla do të marrë zgjidhje. Duke komentuar deklaratën e kryeministrit Berisha, bërë një ditë më parë gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, Milo u shpreh se ai u përpoq të kamuflojë, por la të hapur mundësinë për zgjedhjen e formulës së propozuar nga 26 partitë e vogla.
Berisha la të hapur mundësinë për zgjedhjen e formulës që materializon propozimet tona, nuk ka mundësi që drafti të mos shqyrtohet nga komisioni ku kanë hedhur firmën 26 parti. Ne jemi duke ndjekur me vëmendje, nuk mundësi të mos e marrë parasysh propozimin e 26 partive politike. Përse e vunë firmën kryetarët e dy partive të mëdha politike? Këtu nuk ka ku ta dredhi, tha Milo.
Kreu i PDS-së u shpreh se ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe numërimi elektronik i votave do tu japin partive të vogla atë që meritojnë.
Përvoja na ka dëshmuar se ky vend nuk ka shumë burra në kuptimin mbajtjes së fjalës, po shpresojmë që Shqipërisë ti jepet një kod zgjedhor që do ti jepte vendit zgjedhje të ndershme. Këto ndryshime dhe numërimi elektronik do të na jepnin atë çka na takon, përfundoi ai. / G.N.