Kërkohet një magjistrat

Godina e Shkollës së Magjistraturës
Në Shqipëri thuhet se ka një mbipopullim të të diplomuarish në drejtësi. Nisur nga kjo shumë persona të cilët kanë dëshirën që një ditë të studiojnë për këtë degë, mund të tërhiqen nga rreziku se nesër s’do mund të gjejnë një vend pune.
Por në fakt realitet flet kundër. Konkurrenca është e hapur. Kjo vërtetohet më së mirë nga rezultatet e konkurrentëve për magjistraturën.
Për këtë vit ishte caktuar një kuotë prej 18 vendesh. Kjo linte vend të mendohej se konkurrenca do të ishte e egër. Por në të vërtet një vend ka mbetur i paplotësuar për shkak se vetëm 17 kandidatë kanë mundur të kapin nivelin e pikëve të kërkuara nga 248 konkurrentë që ishin gjithësej.
Drejtoresha e shkollës së Magjistraturës, Marjana Semini tregon se edhe pse niveli për pranimet u ul edhe nën atë që kërkohet përsëri kandidatët rezultuan se nuk plotësonin kushtet e kërkuara.
Shkolla e Magjistraturës, krijuar si rezultat i bashkëpunimit të shtetit shqiptar me Këshillin e Evropës dhe me Komisionin Evropian, si detyrë kryesore ka trajnimin profesional fillestar të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë. /F.S/