E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet rishikim i ngarkesës mësimore

31/03/2009  Mbledhja e senatit të Universitetit të Tiranës kthen mbrapsht Statutin në MASH për diskutim

Kule: Pedagogët kanë shumë orë mësimore dhe aspak stimul, çka i çon drejt privatit

Nuk miratohet statuti i Universiteti të Tiranës. Në mbledhjen e senatit të UT-së është marrë vendimi për rikthimin mbrapsht për diskutim në Ministrinë e Arsimit të statutit funksionues të Universitetit. Kjo për faktin se në të duhen bërë një sërë ndryshimesh, veçanërisht në rishikimin e orëve mësimore që pedagogët duhet të mbulojnë në fakultete publike. Kreu i këtij institucioni, Dhori Kule, ka pohuar gjatë ditës së djeshme se është e domosdoshme që të rishihet ngarkesa mësimore që kanë stafet akademike e më pas të kalohet në miratimin e kësaj rregulloreje. Referuar kësaj situate, Kule ka shtuar se procese të shumta akademike, siç janë kërkimet shkencore, udhëheqjet e diplomës, doktoraturat etj., janë orë plus për pedagogët krahas aktivitetit mësimor të përditshëm që kanë. Përkundrejt kësaj situata pedagogët nuk është se paguhen për orët shtesë, çka bën që këta të fundit të shkojnë drejt auditorëve privatë, ku kanë motivim edhe më të lartë krahas ngarkesës mësimore që mbajnë. Gjithashtu në mbledhjen e zhvilluar është vendosur që t’i jepet titulli "Honoris Causa" presidentit çek, ndërkohë pritet edhe një takim i tij rreth datës 20 prill me drejtuesit e UT-së.

Rikthimi

Vendimi i marrë nga këshillat e fakulteteve është që më parë Ministri i Arsimit të shikojë ngarkesën dhe përbri saj të bëjë propozimet përkatëse për motivimin e stafit akademik.

"Një pjesë jashtëzakonisht e madhe e aktiviteteve që nuk futen në procesin mësimor, por si elemente ndihmëse demotivojnë realizimin e punëve të rëndësishme të universiteteve, qoftë në fushën e edukimit, qoftë në fushën e doktoraturave, në shqyrtimin e tezave. Morëm në shqyrtim analizën e re që bënë këshillat e universiteteve tona për t’i kërkuar ministrit të Arsimit rishikimin e këtij propozimi. Ka një tërësi aktivitetesh që nuk parashikohen si ngarkesë mësimore", - ka pohuar Kule.

Orët

Statuti përcakton se mësimdhënia është detyrim, më së paku 6 orë mësim në javë në auditor për të gjithë personelin akademik. Ngarkesa e plotë për personelin akademik përcaktohet me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe të Shkencës. Njëkohësisht personelit akademik i njihet e drejta e pagesës së orëve të realizuara mbi normën, sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi. Në Universitetin e Tiranës koha javore e punës është jo më pak se 40 orë; koha ditore e punës nuk është më shumë se 8 orë. Koha konkrete e punës caktohet me kontratën kolektive. Pushimi vjetor për punonjësit mësimorë shkencorë është 12 ditë pushim i zakonshëm, plus 36 ditë pushim plotësues, sipas përcaktimeve me akte nënligjore. Problemet e tjera lidhur me kohën normale të punës, të punës tej kohës normale e të pushimit, zgjidhen sipas legjislacionit në fuqi dhe kontratës kolektive të nënshkruar sipas ligjit.

Ngihet Këshilli i Etikës në UT

Ngrihet këshilli i parë i etikës pranë Universitetit të Tiranës. Ndonëse duhej të ishte krijuar që në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit të arsimit të lartë, ky këshill është krijuar vetëm gjatë mbledhjes së fundit të Senatit të UT-së, që u zhvillua tri ditë më parë. Shkak për këtë janë bërë urgjencat e shfaqura së fundi për shkelje të procedurës etike në disa fakultete, situatë e cila është finalizuar me krijimin e këshillit. Rektori Kule shpjegon se nuk mund të funksiononte ky organ pa u miratuar më parë statuti i universitetit. Por, meqë ka afro një vit që ky statut kalohet për diskutim sa në Senat në MASH, pa dalë ende në një miratim përfundimtar, u pa e arsyeshme dhe emergjente që ky këshill të ngrihej tashmë. Megjithatë, Kule ka pohuar se, pavarësisht skandalit të dalë mbi ish-ministrin e kulturës Ylli Pango, këshilli nuk do të merret fare me këtë rast. Kjo justifikohet me faktin se prej afro një vit Pango nuk ishte pjesë e stafit akademik. Pavarësisht se janë bërë ndryshime në statutin e UT-së, rektori është shprehur se është e papranueshme që universitetet, që sot funksionojnë sipas ligjit të ri për arsimin e lartë, të veprojnë me statutin dhe rregulloret e vjetra.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›