E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëse do të mbrohej peshku të rinjtë do ta harronin emigrimin

31/03/2009  

Flet një nga peshkatarët më të vjetër shkodranë Hysen Hoxha: Para 16 vjetësh 1200 ton peshk në vit

SHKODER- Peshku në ujërat e liqenit më të madh të Ballkanit, liqenit të Shkodrës, ka ardhur çdo ditë duke u pakësuar. Historikisht, llojet e shumta dhe sasia e madhe e peshkut që ndodhej në ujërat e këtij liqeni ka qenë burim jetese për të gjithë banorët e rajonit. Duke iu referuar shifrave të Drejtorisë së Peshkimit të para viteve 90, sasia e peshkut të zënë ka variuar nga 900 deri ne 1200 ton në vit, sasi kjo e mjaftueshme për të furnizuar me peshk të freskët, jo vetëm të gjithë zonën veriore dhe verilindore të Shqipërisë, por edhe pjesë të tjera të vendit.

Por periudha e tejzgjatur e tranzicionit dhe sidomos pas vitit famëkeq 1997, duke sjellë uljen e nivelit ekonomik dhe pamundësinë, apo mosdashjen e zbatimit të ligjit, sollën edhe dyndjen e “peshkatarëve” të rinj në ujërat e liqenit. Këta tip gjuajtësish të peshkut, duke mos njohur asnjë ligj natyror për periudhat e shtimit të peshkut, apo duke mos dashur ti njohin ato, nisur nga interesi i ngushtë personal, filluan të përdorin mjete nga më të ndryshme për zënien e peshkut, jashtë çdo norme të peshkimit. Përdorimi i mjeteve të paligjshme, sollën si pasojë edhe rënien e ndjeshme të sasisë së peshkut. Lidhur me problemet e krijuar në fushën e peshkimit si dhe në uljen e ndjeshme të sasisë së peshkut e të faktorëve që shpunë në këto fenomene, njëri nga peshkatarët më të vjetër Hysen Hoxha është shprehur për gazetën “Metropol”...

Si paraqitet niveli sasior i peshkut në liqenin e Shkodrës?

Sasia e peshkut në liqenin tonë është zvogëluar tej mase. Kohët e fundit ka aq pak peshq, sa të merr malli ta mbushësh rrjetën. Kohërat kanë ndryshuar për keq. Dikur mezi e ngrinin rrjetën nga pesha e peshkut e madje një pjesë të peshkut e lëshonim përsëri në ujë. Duke qenë çdo ditë në kontakt me peshkimin, mund tju them se sasia e peshkut të zënë nga të gjithë peshkatarët nuk përbën as çerekun e sasisë së peshkut që zihej para 15-16 vitesh. Por përveç sasisë së peshkut, është për të ardhur keq, është zvogëluar edhe numri llojeve të peshkut, një pjesë e të cilëve nuk po vërehen aspak gjatë peshkimit.

Cilët janë faktorët që kanë shkaktuar zvogëlimin e sasisë dhe të llojeve të peshkut?

Pas viteve 93-94,dalja e shumë njerëzve pa punë, dhe shtimi i nevojave për të gjetur një mundësi për të mbajtur familjen, hodhi në liqenin e Shkodrës shumë burra “peshkatarë”. Fillimisht nuk pati probleme me dëmtimin e peshkut, pasi edhe kur peshkonin në sezonin e shumimit të peshkut, humbja nuk ndihej, pasi sasitë që zinin peshkatarët e rinj me grep apo me rrjeta fare të vogla nuk ndikonin në shfarosjen e peshkut të liqenit që në atë kohë ishte me shumicë. Por më pas duke parë fitimin që sillte shitja e peshkut, ata filluan që të mos ngopeshin me pak, por të gjenin dhe të përdornin mënyra nga më të ndryshmet për zënien e peshkut.

Katastrofa më e madhe i ndodhi peshkut, pas vitit 97, kohë kur “peshkatarët” e rinj, duke mos pasur asnjë lloj njohurie për shtimin dhe ruajtjen e peshkut, filluan të përdornin për peshkim, në vend të rrjetave, lëndët plasëse apo anergjinë elektrike në periudha dhe vende të ndaluara për peshkim. Ky faktor solli pasoja të pariparueshme në shumimin e peshkut, të cilat sollën rënien e ndjeshme të sasisë së tij. Aktualisht ndihet një farë kontrolli që po i bëhet liqenit të Shkodrës nga ana e shtetit, por përsëri njerëzit nisur nga interesi personale ruajnë atë prirjen që ti gjejnë mundësitë dhe hapësirat për të peshkuar në mënyra të padrejta dhe të dëmshme për peshkun. Sidoqoftë, dëmet e shkaktuara deri tani janë të pallogaritshme dhe duhet shumë kohë, investim dhe përkushtim, për ta sjellë peshkun në ato nivele të sasisë që ka qenë në liqen si dhe për të larguar frikën e peshqve mërgimtarë, që nuk po guxojnë të vijnë në ujërat e liqenit të Shkodrës.

Çfarë duhet të bëjnë strukturat përkatëse shtetërore për të mënjanuar humbjet dhe rikuperuar peshkun në liqenin e Shkodrës?

Pa u hyrë problemeve të licencave të peshkimit, shteti duhet të ndërhyjë fuqishëm dhe të mos lejojë as më të voglën mundësi të abuzimit të zënies së peshkut sidomos gjatë periudhës së shtimit të tij. Strukturat përkatëse shtetërore duhet të neutralizojnë plotësisht zënien e peshkut me korrent e mjete të tjera të dëmshme për peshkun. Pas këtyre masave, atëherë shteti, ashtu si në pjesën malazeze, duhet ta ndihmojë liqenin duke i hedhur rasat peshku.

Ruajtja nga peshkimi me mjete të paligjshme dhe hedhja e rasatit të peshkut, do të ndihmonte që shumë shpejt sasia e peshkut në liqenin e Shkodrës t’i afrohej asaj që ka qenë në vitet e mëparshme.

Sa ndikon në rritjen ekonomike të Shkodrës investimi në burimet peshkore?

Në qoftë se peshkun do ta trajtojnë siç duhet, mund të them, nisur edhe nga përvoja ime personale, rritja ekonomike e familjeve apo edhe e individëve që merren me peshkimin dhe tregtimin e peshkut, e si rrjedhojë edhe e Shkodrës, do të ishte aq e madhe saqë, vetë unë i pari, do t’u bëja thirrje djemve që ndodhen jashtë vendit dhe emigrantëve të tjerë nga zona e Shkodrës që të ktheheshin në shtëpinë e tyre se nuk kanë për të pasur më nevojë për të punuar me të huajin.

Statistikat e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, flasin për një numër prej 100 peshkatarësh deri në fillimin e viteve 90, ndërsa sot në liqenin e Shkodrës, këtë profesion e ushtrojnë mbi 500 të tillë, mjaft prej të cilëve të palicencuar. Shoqatat mjedisore që veprojnë në Shkodër, në sajë edhe të bashkëpunimit të ofruar nga forcat e rendit, kanë luajtur një rol mjaft pozitiv në lidhje me frenimin e abuzimeve dhe shfrytëzimin pa kriter të peshkut në liqenin e Shkodrës.

Kohët e fundit, për ruajtjen e zhvillimin e peshkut, por edhe të resurseve të tjera të liqenit të Shkodrës, veprojnë dy projekte projekti i parë, i financuar nga Banka Botërore, ka për qëllim zhvillimin e sektorit të peshkimit artizanal dhe mbrojtjen mjedisore, ndërsa projekti tjetër, i financuar nga qeveria italiane synon mbështetjen për peshkimin artizanal. Në sajë të këtyre dy projekteve janë ndërtuar dy qendra peshkimi njëra në fshatin Shirokë dhe tjetra në fshatin Zogaj, në të cilat 60 peshkatarë janë trajnuar për tu bërë shfrytëzues të ligjshëm të peshkut dhe të resurseve të tjera të këtij liqeni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›