E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet zhvendosja e përmendores së UÇPMB-së

Serbia planifikon që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë flamurin e tyre dhe jo të mbajnë flamurin kombëtar shqiptar.

Gazeta serbe “Danas” ka shkruar se qarqet diplomatike të huaja që janë në Serbi kanë propozuar që Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Luginën e Preshevës së shpejti të dalin me një propozim se si do të duket flamuri i shqiptarëve që jetojnë në Jugun e Serbisë, në këtë mënyrë duke e larguar nga përdorimi flamurin kombëtar shqiptar, që siç e quajnë serbët atë si flamur të Shqipërisë.

“Urgjentisht të dilet me propozim se si do të duket flamuri i shqiptarëve që jetojnë në Serbinë e jugut me qëllim që të shmanget përdorimi i flamurit të Shqipërisë”, kanë thënë diplomatët, transmeton zhurnal.

Gjithashtu diplomatët e huaj kanë kërkuar nga shqiptarët në Luginë të Preshevës që ta heqin Lapidarin e dëshmorëve të rënë të UÇPMB-së nga vendi ku aktualisht ndodhet dhe ta vendosin atë në një vend tjetër me qëllim që mos të shkaktohet ndonjë incident më i madh.

Beogradi ka deklaruar se para nisjes për bisedime me Kosovën për 17 janar në Bruksel, përmendorja e UÇPMB-së do të largohet me dhunë.

Shqiptarët janë të vendosur që mos të ndryshojnë asgjë, ndërkaq të shtunën është paralajmëruar që ata të mbajnë një seancë të 65 kuvendarëve nga tre komunat shqiptare Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.

Në këtë mbledhje do të merren vendimet përfundimtare se çfarë do të bëhet në të ardhmen për çështjet politike të shqiptarëve në Luginë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›