E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atvrasja, 16-vjeçari: Babai ishte i dhunshëm

FIER/ I mituri ka rrëfyer skenën: Nuk u nisa për ta vrarë. Kam parë se si dhunonte nënën që kur kam qenë fëmijë

Ish-gruaja u shpreh para hetuesve se të birin e kishte zënë gjaku dhe më pas nuk kishte mundur të ndalej


FIER - Zbardhet plotësisht vrasja e 48-vjeçarit fierak të ekzekutuar nga djali i tij 16-vjeçar në prani të së ëmës, ish-bashkëshorte e viktimës. Mësohet se ajo nuk ka ndërhyrë për të shmangur vrasjen. Plot 8 thika kanë zbuluar në trupin e Ylli Zeqajt ekspertët kriminalë dhe mjeku ligjor, si rrjedhojë e të cilave ka gjetur vdekjen e menjëhershme.


Kanë qenë orë intensive të policisë, ndërsa kanë nisur hetimet. Si provë e parë ka qenë biseda telefonike që viktima kishte kryer me ish-gruan, si dhe disa deklarime të djalit të çiftit të divorcuar në vendin e ngjarjes në kohën kur policia kishte mbërritur dhe oficerët po merrnin në pyetje të afërm të 48-vjeçarit.


Në dëshminë e dhënë nga i mituri ka pasur mospërputhje dhe si rrjedhojë ai është shoqëruar në komisariat për t'u rimarrë në pyetje.


Mësohet se më datën 22 korrik, Luljeta Zeqaj dhe djali kishin kërcënuar respektivisht bashkëshortin dhe babanë të mos ndërmerrte asnjë veprim për shitjen e shtëpisë dhe të mos kryente asnjë punim në dhomat e apartamentit, përndryshe do ta pësonte.


Pas gjetjes në banesë të Ylli Zeqajt të vdekur, 45-vjeçarja Luljeta është marrë për herë të parë në pyetje mesditën e së dielës në banesën e saj në lagjen "1 Maj" ku jetonte pas divorcit.


Më pas ajo është marrë nga oficerët e policisë, që e kanë shoqëruar në mjediset e komisariatit, ku pas përballjes me provat, i janë vënë edhe prangat nën akuzën e "vrasjes së kryer me paramendim dhe në bashkëpunim".


Bashkë me të policia ka shoqëruar edhe djalin adoleshent, i cili është "tradhtuar" nga hetimet, ndërsa më pas ka treguar çdo gjë. Në gjendje të rëndë depresioni 16-vjeçari ka treguar orë pas ore atë që kishte ndodhur më 23 korrik. Pas trajtimit të tij me psikolog policia e ka përballur atë me akuzën, e cila është e njëjtë me atë të së ëmës: vrasje me paramendim.


Rrëfimi


Luljeta Zeqaj ka pranuar krimin. Para oficerëve të policisë gjyqësore mësohet se ajo ka deklaruar: "Nuk kishte zgjidhje tjetër problemi im dhe i dy djemve.


Duhej që Ylli të vritej që ne të jetonim të qetë". Me këto fjalë ajo ka nisur deklaratën për krimin e ndodhur. Si 16-vjeçari, edhe Luljeta kanë deklaruar se tetë plagët depërtuese janë realizuar me thikë, e cila ishte siguruar nga djali. Ky i fundit armën e ka pasur me vete gjatë kohës që ka shkuar me të ëmën në mjediset e ish-banesës ende të pandarë.


"Gjatë asaj mbrëmjeje djali I tha të atit që mos të kryente asnjë punim në shtëpi pasi ajo më takonte mua dhe djemve. Ai e kundështoi, ashtu si kishte bërë shpeshherë. Në këtë moment, djali nuk priti gjatë dhe e qëlloi një herë të atin.


Por këmbëngulja e Yllit edhe pas marrjes së plagës së parë e goditi psikologjikisht tim bir. Edhe pse unë i thashë mjaft, nën efektin edhe të hemorragjisë së gjakut, ai vijoi ta qëllonte me thikë. Nuk e di se sa herë, por shumë ishin",- ka deklaruar për grupin e hetimit Luljeta Zeqaj.


Gjithashtu ajo ka treguar se pas krimit ka marrë thikën dhe pasi është përpjekur të fshehë disa nga provat, është larguar drejt banesës së saj, nga ku nuk kishte dalë deri në momentin e parë të përballjes me policinë.


Nga ana e vet djali ka pranuar se ai ka qëlluar mbi të atin dhe ka thënë se që në fëmijëri ka qenë i pranishëm gjatë debateve të prindërve dhe dhunës që babai ushtronte mbi të ëmën.


"Nuk e duroja dot më dhunën dhe kokëfortësinë e tij, aq më shumë kohët e fundit, kur unë me vëllanë dhe nënën jetonim me qira, ndërsa ai përpiqej të shiste shtëpinë. Thikën kisha kohë që e kisha siguruar dhe atë mbrëmje nuk e mora me vete për ta vrarë, por për ta kërcënuar. Kur pashë që ai më acaroi sërish, nuk durova dot më.


E qëllova disa herë. Më pas di që kam qëndruar me nënën për shumë orë derisa kam marrë disi veten". Kjo është një pjesë e deklaratës së bërë nga 16-vjeçari pas përballjes me akuzën.


Motivi


Sipas deklaratave të dy autorëve dhe dëshmive të tjera, shkak për vrasjen ka qene shitja e banesës së përbashkët. Viktima njihet prej policisë si person me precedentë penalë. Ai është denoncuar në polici edhe nga vetë gruaja, e cila më pas kishte vendosur të divorcohej prej tij. Ceremonia mortore e tij është zhvilluar në zonën e lindjes në Mallakastër. Ajo është kryer nga prindërit dhe vëllezërit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›