E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kërkojmë votën që ta integrojmë Shqipërinë në familjen evropiane”

17-03-2013 / Gazeta 55

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami në aktivitetin e Lidhjes Demokratike të Gruas në qytetin e Elbasanit

Lidhja Demokratike e Gruas së Elbasanit, zhvilloi dje një aktivitet me këngë e me valle në Teatrin “Skampa” nga Qendra Kulturore e Fëmijëve për të gjitha gratë, nënat e kësaj lëvizjeje në qytetin e Elbasanit.
Të pranishëm në aktivitet ishin, kryetari për Grupin e Punës së Elbasanit, njëkohësisht dhe ministër i Mbrojtjes, Arben Imami, kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi si dhe deputeti i zonës Ardian Turku.
Vokshi  në përshëndetjen e saj cilësoi se “po festojmë të gjithë festat së bashku, pasi gruaja është ajo që nuk ka gabuar kurrë me vote, ku gjithmonë ka hedhur votën për Partinë Demokratike. Ju premtuam anëtarësimin në NATO dhe ia dolëm. Premtuam shkolla dhe ia dolëm. Fitorja më e madhe e kësaj qeverie është që i ktheu dinjitetin nënave dhe shqiptarëve”, tha ajo.
Në fund të aktivitetit e mori fjalën, Kryetari për Grupin e Punës së Elbasanit, Arben Imami, ku falënderoi Lidhjen e Gruas Demokratike në Elbasan dhe atë Kombëtare për të gjithë mbështetjen dhe punën që ka bërë,  për emancipimin e gruas në këtë vend, për pjesëmarrjen e gruas si një individ pavarësisht nga gjinia dhe për zhvillimin e gruas në politikën e këtij vendi.
Ndër të tjera Imami u ndal në funksionet mbi të cilat ngrihet familja si një vlerë themelore e Partisë Demokratike, ku gratë janë celula e saj. “Ne si Parti Demokratike theksoi ai, besojmë se njeriu pavarësisht nga gjinia ka disa vlera njerëzore dhe natyrore që janë të barabarta, këto janë pikërisht dhe rrënjët e Partisë Demokratike sepse janë gratë ato që duan të mbrojnë të ardhmen e këtij vendi dhe janë ato që e prodhojnë këtë të ardhme. Ne si komb kemi luftuar dhe kemi mbijetuar por tani ka ardhur momenti që ne të jetojmë në paqe e të ecim vetëm me punë e respekt sepse, emancipimi i një shoqërie matet me emancipimin e gruas. Gruaja është ajo gjini e cila përveç funksioneve natyrore si nënë, grua, motër, mbi të gjitha është një individ, një njeri që ka një rol social të barabartë me burrat. Për të gjitha këto, të gjithë bashkë duhet të punojmë për një 4- vjeçar tjetër të Partisë Demokratike, për një 4- vjeçar që të konsolidojë këtë rol të gruas në familje dhe në shoqërinë shqiptare, për një 4-vjeçar që ta zhvillojë e ta bëjë Shqipërinë një vend të zhvilluar, për një 4- vjeçar që ta integrojë Shqipërinë në familjen e madhe europiane, pavarësisht bojkoteve e protestave të dhunshme. Ndaj le të punojmë së bashku, të përpiqemi së bashku që objektivat e të ardhmes tonë të bëhen realitet, pasi vetëm Partia Demokratike mund të jetë ndryshimi”, përfundoi Arben Imami.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›