Kërkojnë anëtarësim në FIBA
Udhëheqësit e basketbollit kosovar kanë udhëtuar të enjten drejt Gjenevës, ku të premten (sot) do të kenë takim me sekretarin gjeneral të Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA), Patrick Baumann dhe me bashkëpunëtorët e tij.
Delegacioni kosovar i ka idetë e qarta rreth kërkesave që do t’ia parashtrojë shtëpisë së basketbollit botëror, në takimin i cili do të fillojë në orën 10:00. Pala kosovare, e drejtuar nga kryetari Fatmir Gashi, do t’i kërkojë zotëri Baumannit pranimin e shtëpisë së basketbollit kosovar me të drejta të plota në gjirin e FIBA-s. Por, drejtuesit e FBK-së kanë edhe alternativa tjera.
“Kërkesa e jonë kryesore do të jetë pranimi me të drejta të plota në FIBA. Nëse jo kjo, të paktën të na lejojnë të garojmë me klube në garat evropiane”, thotë për Express sekretari i përgjithshëm i FBK-së, Nazmi Paçarada.
FBK do të ishte e kënaqur nëse të paktën lejohet pjesëmarrja e klubeve kosovare në Evropë, siç ndodh me klubet e hendbollit në vend. Po ashtu, nëse këto dy kërkesa nuk pranohen, Paçarada sqaron se ata do të kërkojnë që klubet kosovare të marrin pjesë në Ligën Ballkanike.
Gjithashtu kontingjenti kosovar do të bisedojë me FIBA-n edhe rreth transferimit të basketbollistëve. Në këtë rast, lojtarët e huaj të cilët vijnë në Kosovë do të kërkonin leje nga FIBA, por edhe nga FBK, sigurisht edhe nga klubet. E njëjta gjë do të vlejë edhe për lojtarët vendorë që mendojnë të dalin për të luajtur jashtë.
Sipas Paçaradës, në aspektin sportiv, Kosova i plotëson kushtet për anëtarësim në FIBA dhe drejtuesit e FBK-së janë optimistë se do të marrë fund izolimi i basketbollit në vend. Kosovarëve mund t’ua mohonte këtë të drejtë vetëm aspekti politik.
Muajin e kaluar, sekretari gjeneral i FIBA-s, Patrick Baumann, i kishte dërguar një letër FBK-së, të cilën e ftonte për një vizitë në Gjenevë, ku edhe është selia e FIBA-s.