Kërkojnë shuarjen e strukturave paralele

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rosemary DiCarlo ka theksuar edhe një herë mbështetjen e saj për Kosovën. Ajo ka mbështet fuqishëm progresin në Kosovë, duke thënë që strukturat serbe në veri nuk kanë kurrfarë leje në Kosovë, dhe se ato është dashur të hiqen shumë herët, bazuar në Rezolutën 1244.
DiCarlo theksoi se SHBA-të, mbështesin dialogun që do të jetë në të mirë të integrimit evropian për të dyja vendet. Gjithashtu ajo përshëndeti përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, duke thënë se më këtë dëshmohet për aftësinë e Kosovës për të ndërtuar një shtet demokratik.
Nga ana tjetër përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar mirëpret progresin e arritur në Kosovë, ndërkohë duke folur për situatën në veri, ka thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen për çështjet e mbetura.
“Mbretëria e Bashkuara mbetet e përkushtuar dhe falënderon EULEX-in për angazhimin në atë pjesë, ndërkohë përpjekjet për të penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve janë të papranueshme për Mbretërinë e Bashkuar. Pritet përkushtim i të dyja palëve për të hequr strukturat paralele në veri dhe kërkoi nga Qeveria e Kosovës të përcaktojë strategjinë për veriun dhe mirëpresim hapjen e Zyrës Administrative në veri nga ana e Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Edhe përfaqësuesi i Gjermanisë ka kërkuar shuarjen e strukturave ilegale.
Ndërkohë përfaqësuesi i Rusisë ka thënë se Rezoluta 1244 duhet të mbetet bazë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ai ka shprehur shqetësimin me vendimin e Këshillit të Sigurimit për themelimin e Zyrës Administrative në veri.