E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkon 2 milion €

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta ndajë një shumë të hollash enkas për ndërtimin e shtatë fushave ndihmëse të futbollit në shtatë rajone të Kosovës.

Ato fusha parashihet të shtrohen me bari artificial, të cilat pos tjerash, do t’i plotësonin kriteret edhe për zhvillim të ndeshjeve kampionale, atëherë kur fushat e stadiumeve të klubeve kosovare po dëmtohen si pasojë e reshjeve të shiut dhe të borës, me ç’rast shpesh herë po ndodh që të shtyhen ndeshjet kampionale.

Vokrri tregoi se këtë kërkesë ia ka dorëzuar zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuqi dhe ministrit të Ministrisë së Sportit, Lutfi Haziri.

Sipas Vokrrit, ndërtimi i këtyre shtatë fushave do të kushtonin afër 2 milionë euro, e cila infrastrukturë do të ishte ‘shpëtim’ për futbollin kosovar.

“Edhe ministrit të Sportit, Departamentit të Sportit, por edhe zëvendëskryeministrit ia kemi paraqit zyrtarisht kërkesën që të mbështetet ideja e FFK-së për ndërtimin e shtatë fushave ndihmëse në shtat rajonet e Kosovës. Ideja është që ato fusha të ndërtohen me bari artificial, të cilat do të mund të shfrytëzoheshin edhe për zhvillim të ndeshjeve kampionale, sepse do të ndërtoheshin me kritere të FIFA-s e UEFA-s”, deklaroi Vokrri për Express.

Ai tha se kjo ide e udhëheqësve të futbollit të Kosovës fillimisht është pëlqyer nga institucionet më të larta shtetërore, andaj Vokrri shpreson që ky projekt të çohet deri në fund.

“Ne mendojmë që brenda një viti të ndërtohen dy apo tri fusha të tilla. Në vitin tjetër pastaj të ndërtohen dy apo tri tjera, dhe kështu shtatë rajonet e Kosovës të pasurohen me nga një fushë të tillë. Futbolli ynë ka nevojë shumë për to, sepse kemi shumë liga, dhe tani jemi afër të startojmë edhe me ligën e femrave”, theksoi Vokrri.

“Ne deri më tani kemi marrë mbështetje nga të gjitha palët dhe shpresoj që mbështetja të na jepet deri në fund që ky projekt të realizohet në tërësi”, shtoi ai.

Sipas Vokrrit, nga parashikimet e para ka dalë se ndërtimi i një fushe të tillë do të kushtonte rreth 250 mijë euro, që do të thotë se ndërtimi i këtyre shtatë fushave do të kushtonte rreth 1 milion e 750 mijë euro.

“Nuk e dimë saktë se sa do të kushton realizimi i plotë i këtij projekti. Jemi duke punuar rreth përfundimit të kësaj. Mirëpo, sipas parashikimeve të para ndërtimi i një fushe të tillë do të kushtonte rreth 250 mijë euro”, tha ai.

Vokrri tha se tani duhet punohet me krerët e Komunave të Kosovës për t’i definuar statuset e stadiumeve, proces ky i cili ka ngecur mbrapa, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të udhëheqësve të FFK-së.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›