E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkoni punë në Itali, ja variantet dhe afatet

TIRANE - Në kuadër të zbatimit të “Memorandumit të Mirëkuptimit” mes Shqipërisë dhe Italisë, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka filluar zbatimin e një projekti-pilot, i cili parashikon formimin gjuhësor dhe profesional, që ka si qëllim punësimin në Itali. Projekti-pilot u drejtohet 255 shtetasve shqiptarë dhe garanton punësimin e të paktën 50% të pjesëmarrësve në kurse në sektorë si: turizëm, hoteleri, restora-nte, ndërtim, agrozooteknikë, asistencë familjare, industri tekstile dhe artizanat.

Të gjithë të interesuarit duhet të kenë mbushur moshën 18 vjeç dhe nuk duhet të kenë qenë të dënuar nga organet gjyqësore ose ndaj të cilëve të jenë hapur procedime penale. Gjithashtu, ata nuk duhet të jenë subjekte të asnjë gjendjeje juridike që të pengojë lëshimin e vizës italiane për arsye punësimi. Kandidatët duhet të plotësojnë një formular të posaçëm regjistrimi, që mund të gjendet në faqen zyrtare të internetit të MPÇSSHB dhe të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, duke filluar nga dita e sotme deri në datën 10 prill 2012.

Të interesuarit mund të drejtohen edhe në të gjitha Sportelet e Migracionit, duke e dorëzuar personalisht formularin e plotësuar, së bashku me një dokument identifikimi. Regjistrimi është i mundur në Sportelet e Migracionit në qytete si: Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Berat, Gjirokastër, Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër, Kukës dhe Peshkopi. Të regjistruarit do t’i nënshtrohen edhe një procesi përzgjedhjeje i cili parashikon tre faza. Faza e parë e përzgjedhjes do të kryhet në bazë të disa kritereve objektive si: Niveli i arsimit, përvoja pune të mëparshme në sektor, niveli i njohjes së gjuhës italiane, përvoja pune të mundshme jashtë shtetit, përvoja pune të mundshme në sektor në Itali, si dhe një vërtetim i mundshëm i pjesëmarrjes në kurse formimi profesionalë në sektor.

Faza e dytë parashikon zhvillimin e një interviste tekniko-motivuese që do të drejtohet nga përzgjedhësit e enteve italiane të autorizuara. Ndërkohë që, kandidatët që do ta kalojnë fazën përzgjedhëse të intervistës tekniko-motivuese, do të bëhen pjesë e kurseve intensive të formimit, të cilat do të zgjasin 8 orë në ditë. Personat e përzgjedhur për punësim në Itali do të marrin më tej informacionin e nevojshëm për vizën e punës.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›