E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vijon protesta e grave, policia ngjitet në tarracë

Pas më shumë se 24 orë negociatash të pasuksesshme mes 6 grave dhe policisë në mënyrë që ato të zbresin nga tarraca e pallatit, policia ka vendosur të ngjitet lart në tarracë për t`i bindur ato të zbresin.
 

Efektivë të policisë kanë hipur në mesditë në tarracën e pallatit në zonën e Unazës së Re ku prej dy ditësh ndodhen 6 gra pasi njëra prej tyre është larguar mëngjesin e sotëm për arsye shëndetësore dhe po tentojnë t`i bindin ato të zbresin.
 

Ndërkohë policia ka shoqëruar në komisaritat edhe një prej banorëve të cilët gjendej poshtë për arsye ende të paqarta.
 

Gratë nuk kanë pranuar ofertën që të merrnin 12 për qind të banesave të ndërtuesit të pallatit Namik Pelivani.  Ato kanë përsëritur sot se nuk do të zbresin prej andej derisa të zbatohet marrëveshja e lidhur me pronarin tre vite më parë.
 

 Ato theksojnë se ndërtuesi i pallatit ku kanë pasur shtëpitë e tyre, nuk u njeh kontratat e nënshkruara disa vite më parë. Sipas këtyre kontratave ndërtuesi do të kompensonte shtëpitë e prishura me apartamente dhe dyqane në pallatin që do të ndërtohej.

Ndërkohë që prej ditës së djeshme poshtë pallatit qëndrojnë edhe familjarët e tyre ndërsa situata po monitorohet nga forcat e policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›