E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kermabon: Drejtësia në Kosovë, fillim të suksesshëm

Shefi i misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon, ka vlerësuar se Komponenti i Drejtësisë i EULEX-it ka bërë një "fillim të suksesshëm" në punën e tij të rëndësishme. Ai tha se Komponenti i Drejtësisë i EULEX-it - mision i cili të mërkurën shënon 9 mujorin e fillimit të punës - ka filluar të luajë një rol kyç për të ndihmuar në ndërtimin e një sistemi të pavarur dhe profesional të drejtësisë në Kosovë. Statistikat e fundit të lëshuara nga misioni - siç thuhet në një komunikatë të Zyrës për Informim të EULEX-it - tregojnë për një fillim mbresëlënës të punës së Komponentit të Drejtësisë.
Gjatë kësaj periudhe, prokurorët e EULEX-it duke punuar vetë ose me kolegët e tyre vendorë janë përfshirë në 467 ndjekje penale. Në rastet e ndjekura penalisht përshihen ato të korrupsionit, krimit të organizuar, krimeve të luftës, terrorizmit, krimeve ndëretnike, kontrabandimit të armëve dhe drogës, si dhe vrasje.
Gjyqtarët e EULEX-it deri më tani kanë dhënë më shumë se 100 vendime gjyqësore në të gjitha fazat e procedurës gjyqësore, duke përfshirë aktvendime/urdhëresa dhe aktgjykime. Zyra e EULEX-it për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore (OMPF) ka kryer 88 operacione në terren (duke përfshirë 45 zhvarrime) dhe familjeve u ka dorëzuar 61 mbetje mortore që nga muaji dhjetor 2008.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›