E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kermabon: Në punën e EULEX nuk përmendet plani i Ahtisarit

Beograd -Shefi i misionit EULEX- në Kosovë Iv dë Kermabon është i shprehur i kënaqur që shtrirja e EULEX-it në tërë territorin e vendit ka kaluar pa asnjë incident. Kermabon theksoi se për momentin ka dy të tretat e personelit dhe teknikës, por beson se EULEX-i do të arrijë shtrirjen e plotë nga fundi i dimrit, kur në terren do të ketë 3000 persona. Në një intervistë për gazetën e Beogradit "Veçernje novosti" Kermabon përsëriti se detyrë themelore e misionit që drejton është zbatimi i sundimit të ligjit dhe se në terren nuk do të zbatojë planin e Marti Ahtisarit.

"Baza jonë ligjore askund nuk përmend planin e Ahtisarit", tha ai. Kermabon tha se duhet themeluar një "bazë të fuqishme për kontakt dhe bashkëpunim me njerëzit e Kosovës, ndaj ka organizuar një seminar me personelin komandues të policisë në veri të Kosovës, sepse siç thotë "ka shumë mosmarrëveshje rreth misionit".

"Njerëzit janë kundër misionit meqenëse nuk e kanë kuptuar se ç'është EULEX-i. Kur të shpjegojmë planet tona, mendoj se ka shpresë për bashkëpunim", thotë Kermabon. qik

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›