Kern: Në 2012 nis furnizimi me energji nga Ashta
Ka nisur ndërtimi i hidrocentralit të Ashtës. Ndërtimi i këtij HEC-i do të realizohet nga kompania austriake “Verbund”, e cila do të ndërtoje impiantin më të madh Matriks, duke përdorur turbina të vogla të tipit Hidro-Matriks. Në 2012 kompania ka parashikuar që të nisë furnizimin me energji për konsumatorët. Një intervistë për gazetën, Christian Kern, anëtar i Bordit Menaxhues të kompanisë “Verbund”, ka sqaruar në detaje projektin për ndërtimin e këtij hidrocentrali.
Vetëm pak ditë më parë u zhvillua ceremonia e nisjes së ndërtimit të hidrocentralit të Ashtës, sa është parashikuar të zgjasë ndërtimi i kësaj vepre dhe çfarë teknologjie do të përdorni?
Faza e parë e ndërtimit do të zgjasë deri në fund të vitit 2011, dhe që nga viti 2012 do të jetë tërësisht funksional, çka do të thotë se do nisë furnizimi me energji për gati 100 mijë familje. Pjesa më e veçantë e hidrocentralit të Ashtës është nga pikëpamja hidroenergjetike, kjo pasi është shumë e vështirë të përdorësh një teknologji atje. Kompani të tjera janë përpjekur të ndërtojnë vite më parë atje dhe gjëja më e veçantë është se ne po ndërtojmë impiantin më të madh Matriks, duke përdorur turbina të vogla të tipit Hidro-Matriks. Kjo është një teknologji inovative që përdoret për herë të parë në Ashtë. Pa këtë lloj teknologjie do të ishte e pamundur ngritja e një hidrocentrali në Ashtë. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm dhe nga pikëpamje inovative dhe krijohet përshtypja se shumë njerëz nga Austria dhe Evropa do të vijnë të shikojnë se çfarë kemi arritur ne në Ashtë nëpërmjet kësaj teknologjie. Në këto rrethana të vështira ajo çka është e rëndësishme është fakti se ne kemi gjetur zgjidhjen për ndërtimin e këtij hidrocentrali, nëpërmjet përdorimit të kësaj teknologjie.
Sa të punësuar nga Shqipëria do të ketë në ndërtimin e kësaj vepre?
Ky projekt ka dy aspekte të rëndësishme, e para është siguria e furnizimit me energji elektrike dhe, së dyti, do të hapen shumë vende të reja pune. “Verbund” është një nga kompanitë me eksperiencën më të madhe në ndërtimin e hidrocentraleve, por nuk mund të ndërtosh një hidrocentral nga perspektiva vjeneze pa patur ndihmën e vendasve. Vlera e investimit për realizimin e këtij projekti është gati 160 milionë euro. Por ne tashmë kemi nisur punën me shumë grupe inxhinierike vendase. Ndërkohë që gjatë muajve të verës ne do të zhvillojmë një tender për punët civile, dhe në këtë projekt ne ftojmë të gjitha kompanitë shqiptare që të aplikojnë.
Cilat janë planet e kompanisë për të ardhmen, a do të investoni sërish në Shqipëri?
Ajo çka është e dukshme tani është që atmosfera ekonomike është e vështirë nga kriza financiare. Por “Verbund” është një kompani me baza të forta dhe ne kemi ardhur këtu për të dhënë atë çka kemi premtuar. Ne do të përfundojmë hidrocentralin e Ashtës, dhe kjo gjë u përforcua edhe me hapjen e zyrës përfaqësuese në Tiranë. Por do të shikojmë edhe mundësi të tjera për investime në Shqipëri. Ajo çka është pozitive për Shqipërinë është se është ndër të paktat vende që sipas të dhënave të FMN-së do të ketë rritje ekonomike. Pozitiv është edhe fakti që ne kemi qenë të mirëpritur nga administrata lokale dhe ajo shtetërore.
Shumë vende janë prekur nga kriza ekonomike, po “Verbund” a është prekur nga kjo krizë ndërkombëtare?
Krahasuar me investitorët e tjerë, ne jemi prekur shumë pak nga kriza. Në 2008-ën ne kemi patur një nivel të ardhurash rekord si dhe kemi patur aksionet më të vlefshme në bursën e Vjenës.