E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pezullohet dhënia e shpërblime për të porsalindurit

FIER- Shpërblimi për lindjen e fëmijëve që u njoftua ditë më parë nga zyrat e gjendjes civile në Fier nuk është i realizueshëm për momentin. Pas lajmit për shpërblimin prej 5 mijë lekësh për çdo foshnjë të regjistruar në zyrën e gjendjes civile, qytetarët kanë rendur për të plotësuar dokumentet sipas ligjit. Por nëpunësit e gjendjes civile i kanë kthyer pas duke u thënë se fondi për shpërblim nuk është dhënë ende. Ndryshimet në ligjin e regjistrimit të fëmijëve janë miratuar pak javë më parë dhe kanë hyrë në fuqi, por jo të gjitha janë të zbatueshme menjëherë. Në rastin e shpërblimit që ai të jetë i zbatueshëm duhet të bazohet në disa akte të tjera nënligjore që lidhen me parashikimin e fondit në buxhetin e shtetit për vitin 2008. “Një fond i tillë nuk ishte i parashikuar thotë përgjegjësja e gjendjes civile në Fier, Lumturi Moçka, sepse ndryshimet në ligj u bënë në mes të vitit”. Sipas saj, shpërblimi për momentin do të jetë vetëm një parashikim në ligj, ndërsa zbatimi i tij do të nisë kur të përcaktohet fondi në buxhet.

------------------------------------Fier, përgjysmohen aksidentet në punë

FIER- Aksidentet në punë në qytetin e Fierit kanë pësuar rënie duke u krahasuar me një vit më parë. Të dhënat e inspektoratit rajonal të punës flasin për një përgjysmim të aksidenteve ku gjatë shtatë muajve janë shënuar vetëm katër prej tyre. Aksidentet në punë nuk kanë pasur pasoja të rënda ose me vdekje, ndërsa sektori i naftës, sipas të dhënave të inspektoratit është ndëshkuar me gjobë për raste ku faji ka qenë i ndërmarrjes së naftës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›