Kerry dhe Ashton mbështesin integrimin evropian të Shqipërisë

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Panariti ka marrë mbështetjen e baroneshës Catherine Ashton dhe të sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, për proceset integruese të Shqipërisë në BE.
Ai është takuar me ta gjatë darkës transatlantike të organizuar në Romë. Së bashku me Kerryn, ata vunë në dukje se të dy qeveritë ndajnë pikëpamje të përbashkëta për çështjet që lidhen me rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe me gjerë.
Ministri Panariti theksoi se prioritet i qeverisë shqiptare është forcimi i marrëdhënieve me vendet e rajonit, përmes një politike të hapur dhe konstruktive.
Kerry përshëndeti rolin konstruktiv që luan Shqipëria në shërbim të paqes dhe stabilitetit rajonal. Ai vlerësoi, gjithashtu, partneritetin që ka ofruar Shqipëria si anëtare e NATO-s në mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe vlerave të demokracisë në zona të ndryshme të botës.
Ndërkaq, gjatë takimit me Ashton, Panariti theksoi se qeveria shqiptare është e angazhuar për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendit. Gjithashtu, një sfidë madhore e saj mbetet organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare, raporton Panorama.
Nga ana e saj, Ashton konfirmoi mbështetjen për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE dhe inkurajoi politikën shqiptare që të gjejë konsensusin për zbatimin e të gjitha kritereve të vendosura nga Komisioni Evropian. Ajo informoi se parashikon të zhvillojë së afërmi një vizitë në Shqipëri, ku temë kryesore në takimet me zyrtarët e lartë të shtetit do të jetë integrimi evropian dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare./Indeksonline/