E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti për Liberalizim

Kosovarët duhet t’i durojnë edhe një apo në dy vjet kriteret e ashpra dhe pritjet pa fund para ambasadave evropiane, për të marrë një vizë Shengen.

50 kriteret e përcaktuara nga BE-ja nga dita në ditë po tkurren. Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme paralajmërojnë se viti 2010 do të jetë përcaktues për përmbushjen e kritereve të BE-së. Kjo nuk nënkupton vetëm lëshimin e pasaportave biometrike, por edhe forcimi i doganave, luftimi i korrupsionit, luftimi i krimit të organizuar e shumë kritere të tjera.

Në këtë projekt do të përfshihen shumica e ministrive të Qeverisë së Kosovës, Komisioni Evropian, EULEX-i dhe shoqëria civile. Fisnik Rexhepi, këshilltar i Ministrit të Punëve të Brendshme, beson se viti 2010 do të jetë vendimtar në përmbushjen e shumicës së kritereve, ndërsa vendimi për liberalizim të vizave i mbetet Bashkimit Evropian.

“Ne jemi të bindur që nëse vazhdojmë me këtë dinamikë dhe përkushtim në zbatimin e kritereve teknike, sidomos gjatë vitit 2010, do të jetë më e lehtë edhe për BE-në që të marrë një vendim pozitiv për Kosovën”, thekson ai.

Sipas Rexhepit, liberalizimi i vizave tashmë është shndërruar në prioritet nacional, ku të gjitha institucionet dhe shoqëria civile është duke kontribuar në këtë proces. “Edhe brenda BE-së ekziston një frymë pozitive në drejtim të ofrimit të dialogut për liberalizim të vizave për Kosovën. Shpresojmë që në viti 2011 BE-ja do të vendosë edhe për përfshirjen e Kosovës në këtë proces”, beson Rexhepi.

Ai thotë se teknikisht Kosova nuk është larg përmbushjes së kritereve. Bashkimi Evropian për shtetet e rajonit që tashmë kanë kaluar këtë proces u ka parashtruar 50 kritere që duhet t’i plotësojnë ato shtete brenda një afati të përcaktuar. Kriteret kanë të bëjmë kryesisht me sistemin e drejtësisë dhe atë të sigurisë. Dy sektor, që është kritikuar më së shumti në të gjitha raportet e BE-së, por edhe të shoqërisë civile dhe mediave.

“Janë diku rreth 50 kritere, në të gjitha prej tyre kemi filluar të punojmë intensivisht, në disa prej tyre kemi bërë progres të theksuar”, shton Fisnik Rexhepi, këshilltar i ministrit Zenun Pajaziti. Të enjten, ministri Pajaziti ka marrë vendim për krijimin e Grupit punues për zbatimin e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave dhe planit të punës.

Grupi Punues përbëhet nga përfaqësues të ministrive dhe agjencive relevante të Republikës së Kosovës, të cilët janë përgjegjëse për koordinimin, monitorimin dhe raportimin e të gjitha aktiviteteve në kuadër të Qeverisë për implementimin e Udhërrëfyesit dhe Planit të Veprimit për procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian.

Rexhepi thotë se zyrtarët nga ministri të ndryshme do të jenë përgjegjës që brenda institucioneve të tyre të koordinojnë procesin e implementimit të kritereve teknike.

“Grupi takohet në baza mujore. I raporton ministrit të Brendshëm mbi implementimin e kritereve të kërkuara, ndërsa ministri pastaj atë raport e përcjell në Qeveri”, shton ai.

Në këtë proces do të ketë edhe shumë ekspertë ndërkombëtarë, të cilët kanë ndihmuar shtetet e rajonit si Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë për të përmbushur kriteret e BE-së që përcaktohen për liberalizimin e vizave.

“Ekspertët do të jenë të angazhuar në mbështetje të institucioneve tona. Po ashtu do të ftojmë edhe Komisionin Evropian dhe EULEX-in, sepse shumica e kritereve ndërlidhjen me sundimin e ligjit dhe ne do ta shfrytëzojmë prezencën e EULEX-it për të përshpejtuar implementimin e kritereve teknike. Do të përfshihen edhe ekspertë të shoqërisë civile në Kosovë”, pohon ai.

Pasaportat e para biometrike, sipas tij, do të lëshohen në mes të vitit 2010. Pra, liberalizimi i vizave për shqiptarët do të varet shumë nga vullneti i Bashkimit Evropian dhe Qeveria e Kosovës, e cila para vetes ka një qerre kriteresh për të përmbushur.

Ditë më parë, Verena Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet ka thënë për Express se Kosova sot është vendi më i izoluar në botë, me mundësi udhëtimi pa viza në vetëm 5 vende. Sipas saj, procedurat për aplikim të vizave janë poshtëruese, por edhe të kushtueshme.

“Pyetja është, a duhet të mbetet Kosova kështu. Unë mendoj se, nëse Qeveria e Kosovës e shndërron këtë në prioritet nacional, që të fillojë reformat dhe lotimin postiv në Evropë, që të jenë seriozë, që Evropa të sillet fer me Kosovën, atëherë kjo mund të bëhet”, ka shtuar ajo.

Sipas Knausit, procesi i liberalizimit të vizave për shtetet e tjera ka filluar më herët, së pari me lehtësi në dhënien e vizave dhe ka vazhduar me marrëveshje të tjera.

Ndërsa Kosova në këtë çështje ka mbetur shumë mbrapa. “Arsyeja pse Kosova nuk është ende pjesë e liberalizimit të vizave është se në kohën e fillimit të këtij procesi, Kosova nuk ke ekzistuar si shtet, dhe e dyta që Kosova ende nuk i përmbush kriteret e duhura për këtë liberalizim”, ka vlerësuar Knuas.

Knaus ka thënë se kriteret nuk janë vetëm sigurimi i një pasaporte biometrike, por janë rreth 50 kërkesa që fillon nga kontrollimi i kufijve, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar etj.

Qytetarët e shteteve si Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia që nga 18 dhjetori janë të lirë të lëvizin në shtetet e Shengenit, pa pasur nevojë për një vizë.

Pikërisht në këtë, shumë organizata joqeveritare të Kosovës kanë protestuar në Prishtinë, duke kritikuar BE-në për izolimin e Kosovës.

Ku mund të shkojë një kosovar pa vizë?
Shqipëri,
Maqedoni,
Mal të Zi,
Turqi dhe
Haiti.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›