E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kësaj radhe pa ‘hile’, Skënderbeu mund Flamurtarin

SHKRUAN: Jeton Selimi 20-11-2011 12:57

Penallti e dyshimtë në favor të korçarëve por edhe karton i kuq për Bicin në fund të pjesës së parë. Në Korçë ndodh gjithçka, por pas barazimit në Tiranë dhe fitores së djeshme, kampionët janë rikthyer zyrtarisht

Ishte pritur me shumë kërshëri kjo ndeshje pasi skuadrat kishin ndryshuar “look” në këtë kampionat. Lojtari më i mirë i Flamurtarit tashmë mund të quhet një “korçar” edhe në deklarata. Trajnerët donin 3 pikët dhe shenja X në deklaratat e tyre nuk dukej gjëkundi. Lojtarët kishin ditë që thumboheshin nëpër media. Drejtuesit vlonjatë protestuan për gjyqtarin Koka. Shkurt, material i bollshëm për një superndeshje. Dhe kështu nis që në sekondat e para. Janë dy gjuajtje qëndrore për çdo skuadër përpara se Shehi të presë mrekullisht goditjen e Hysës. Durrsaku do të bëjë një tjetër pritje vendimtare në goditjen e Prognit, ndërsa në aksionin pasardhës vetëm Muzaka e di sesi e nxorri jashtë atë gjuajtje me kokë me portiern Moçka të mposhtur. Megjithatë, hijet e sezonit të shkuar do të shfaqen edhe në këtë ndeshje. Në minutat shtesë, gjyqtari Koka do të akordojë një penallti në favor të vendësve. Faull i dyshimtë i Veliut pas një prekjeje të topit me dorë. Protesta nga ana e vlonjatëve, megjithatë Shkëmbi nuk gabon nga pika e bardhë 1-0 për korçarët dhe festimet degjenerojnë në ofendime të Xhafajt e Bicit ndaj stolit vlonjat. Skuadrat konfrontohen me njëra-tjetrën dhe në fund gjyqtari largon Bicin dhe drejtorin teknik vlonjat, Lushaj, me kartonin e kuq. Duket se Bici e ka të vështirë të heqë dorë nga sjelljet e pahijshme, pasi dje nuk ngurroi të pështynte trajnerin e Flamurtarit, Edmond Lutaj. Me rifillimin e ndeshjes, Flamurtari do të barazojë në minutën e 53-të, kur Shtubina do të lëshojë një predhë në hyrje të zonës e do të mposhtë portierin Shehi. Në delir miqtë, por Xhafaj jep sinjalin se Skënderbeu është aty, ndonëse gabon i vetëm përballë Moçkës. Hysa në minutën e 54-ët nuk gjuan siç duhet, ndonëse vetëm pak metra përpara portës shpërdoron një mundësi të artë. Megjithatë, Skënderbeu do të shënojë me Allmuçën, që përfiton nga dalja e pasigurt e Moçkës. Minuta e 67-të dhe korçarët rikthehen në avantazh. Minutat e mbetura i lënë vend tensionit dhe kartonave për të dyja palët, por në fund është Skënderbeu që ka merituar tre pikët.

Të tjerat

Vllaznia e trajnerit Rudi Vata ka treguar klas në Fier, pasi ka mundur 4-1 Apoloninë. Në këtë takim u pa qartë besimi që trajneri Vata ka ndaj lojtarëve me moshë të re, ku ishte Karakaçi, ai që shonon golin e parë për shkodranët në minutën e 23-të. Në fund të pjesës së parë rezultati barazohet nga kapiteni fierak, Juljan Gërxho. Pjesa e dytë është e gjitha e Vllaznisë, e cila arrin të shënojë edhe tre gola të tjerë, në minutën e 67-të shënon Smajli, në të 74-ën është radha e Xhevahir Sukajt dhe serinë e golave e mbyll Vajushi në minutën e 80-të. Kjo është fitorja e parë sezonale për Vllazninë jashtë fushe. Bylis me vështirësi, gjithsesi, arrin të bëjë detyrën duke fituar 1-0 me Pogradecin. Takimi është zhvilluar në “Adush Muça” të Ballshit, pa praninë e tifozerisë. Golin e vetëm të takimit e shënon Mariglen Shoshi në minutën e 44-t të pjesës së parë.

Java IX

Të premten

Dinamo – Kastrioti 0-1

Laçi – Kamza 1-0

Të shtunën

Bylis – Pogradeci 1-0

Apolonia – Vllaznia 1-4

Skënderbeu – Flamurtari 2-1

Sot

Tomori – Tirana 13:00

Shkumbini – Teuta 14:00

Renditja

Skuadra N F B H P

1. Teuta 8 6 1 1 19

2. Tirana 8 5 2 1 17

3. Flamurtari 9 5 1 3 16

4. Kastrioti 8 5 0 3 15

5. Laçi 9 4 3 2 15

6. Vllaznia 9 4 2 3 14

7. Skënderbeu 9 3 5 1 14

8. Kamza 8 4 1 3 13

9. Bylis 9 3 2 4 11

10. Pogradeci 8 3 1 4 10

11. Shkumbini 8 2 3 3 9

12. Apolonia 9 2 2 5 8

13. Tomori 8 1 1 6 4

14. Dinamo 9 0 2 7 -1

Shënim: Dinamos i janë zbritur tri pikë nga UEFA

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›