E Shtunë, 31 Tetor 2026

E diela e nxehtë

Edhe pse temperaturat në vend janë të ulëta, të dielën pritet të jetë nxehtë në Gjilan, ku do të zhvillohet derbi ndërmjet Dritës dhe kampioni aktual të Kosovës, Hysit. Njëjtë pritet të jetë edhe në Mitrovicë, ku do të përballen dy pretendentët për titull, Trepça ’89 dhe Vëllaznimi. Këtyre ekipeve vetëm fitorja u bën punë.

Kryendeshja e xhiros së gjashtëmbëdhjetë e Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet të dielën në Gjilan, ku njëri prej pretendentëve për titull të kampionit, Drita do të ballafaqohet me Hysin, i cili po ashtu sivjet synon që ta mbrojë titullin e kampionit.

Aktualisht Drita është në vendin e dytë të renditjes tabelore me 29 pikë, pesë më shumë sesa Hysi, i cili gjendet në vendin e gjashtë. Gjilanasit janë në luftë të rreptë me Prishtinën dhe Vëllaznimin për të dimëruar si lider i renditjes tabelore. Ky fakt po i shtyn edhe më shumë bardhekaltrit për të kërkuar me çdo kusht fitoren ndaj Hysit.

“Si në çdo takim tjetër, ashtu edhe ndaj Hysit, do të hyjmë maksimalisht të përgatitur. Fatmirësisht do të mund të llogaris në të gjithë futbollistët. Ne i kemi bërë përgatitjet e duhura për këtë takim dhe me angazhim maksimal të të gjithë lojtarëve dhe me disiplinë e lojë të bukur shpresojmë ta shënojmë fitoren e radhës”, ka deklaruar trajneri i gjilanasve, Bekim Isufi.

Mirëpo, Drita nuk do ta ketë aspak të lehtë ta arrijë objektivin, pasi edhe llapjanët kërkojnë pikë nga kjo sfidë, për t’iu afruar edhe më shumë kreut.

“Drita është skuadra më stabile e këtij sezoni. Është një skuadër kualitative dhe me plot meritë gjendet aty ku është. Andaj nuk do ta kemi të lehtë. Por, pavarësisht disa mungesave, ne në Gjilan do të udhëtojmë për ta nxjerrë një rezultat sa më pozitiv që mundemi, sepse për këtë jemi munduar të përgatitemi maksimalisht”, ka thënë trajneri i Hysit, Jusuf Tortoshi.

Ndërkohë, ndeshje interesante do të zhvillohet edhe në Mitrovicë ndërmjet dy pretendentëve për titull, Trepçës ’89 dhe Vëllaznimit. Një gjë dihet se në këtë takim, favorit nuk ka, ani pse ‘xehetarët’ aktualisht i kanë katër pikë më pak sesa kuqezinjtë, të cilët me 29 pikë pozicionohen në vendin e tretë.

Superliga – Xhiroja e 16-të

E diel

Trepça ’89 – Vëllaznimi (13:00)

Drita – Hysi (13:15)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›