Tenton vetëvrasjen Babak Rafati, gjyqtari i finales Vllaznia-Tirana
E mbani mend Babak Rafatin, gjyqtarin e finales së Kupës së Shqipërisë Vllaznia – Tirana, kupë që u fitua nga shkodranët pas golave të Suad Licit dhe Xhevahir Sukajt? Gjermani me origjinë iraniane dje në drekë ka tentuar vetëvrasjen. Rafati u gjet me damarët e pulseve të prerë në kushte të rënda në dhomën e tij. Ndeshja ndërmjet Këlnit dhe Maincit u anulua në momentet e fundit pasi Babak Rafati, që ishte caktuar edhe gjyqtar i kësaj sfide, ka prerë damarët pak çaste përpara ndeshjes dhe është transportuar në një spital lokal, ndërsa tifozëve të pranishëm në stadium iu tha se gjyqtari nuk ishte paraqitur dhe se po tentohej për të gjetur një zëvendësues. Tifozët, në terr të ndodhive reale, nisën të protestojnë. Megjithatë, është mësuar se gjyqtari që ka koleksionuar 84 ndeshje në Bundesliga që nga viti 2005, është ende në jetë, pavarësisht se në gjendje kritike. Si për ironi të fatit, ndeshja e tij e parë e arbitruar në Bundesligë ka qenë pikërisht Këln-Mainc...
Nuk dihen shkaqet që sollën në këtë akt vetëflijues për Rafatin, që ka gjykuar finalen e edicionit të 56-të të Kupës së Shqipërisë ndërmjet Vllaznisë dhe Tiranës, finale që u zhvillua në “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit. Në të vërtetë, Rafati ka qenë një zgjedhje e çasteve të fundit, pasi FSHF, me kërkesë të vetë klubeve, kishte kontaktuar me çekun Ljubosh Mishel, një nga emrat më të sipkatur për kohën. Por çeku vendosi të pranonte një çek më të majmë nga Federata e Omanit. Rafati, që në profesion është bankier, është me origjinë iraniane dhe ka lindur në Hanover të Gjermanisë. Babak Rafati në vitin 2008 mori vendin e lënë bosh nga bilbili i njohur gjerman, Markus Merk si gjyqtar i FIFA-s.