Maradona sulmon Blaterin për komentet mbi racizmin në futboll
Diego Maradona thotë se presidenti i FIFA-s, Sepp Blater, ka bërë shumë gabime në detyrën që e mban prej kohësh, kështu që nuk është i befasuar nga komentet e zvicerianit për racizmin. Legjenda argjentinase e futbollit, madje ka kërkuar të ndërmerren veprime konkrete kundër presidentit të FIFA-s, pasi komentet e tij për racizmin në futboll janë të patolerueshme. Blateri ndezi polemika, kur tha para një jave se racizmi nuk ishte ndonjë problem i madh në futboll, sepse cdo shqetësim i tillë gjatë ndeshjeve do të harrohej me një shtrëngim duarsh në fund të lojës. Komentet e tij shkaktuan një reagim të gjerë, me të cilat u bashkua edhe Maradona në kor. “Blateri ka bërë shumë gabime më parë. Nëse vendimet, ose gjërat që ai tha, shkaktojnë habi dhe irritim tek pjesa e shëndoshë e futbollit, mos u cudiosni kaq shumë, gjithsesi, sepse nuk është hera e parë për të, – u tha gazetarëve në Emiratet e Bashkuara Arabe Maradona, përpara ndeshjes së klubit të tij, Al Wasl, me Al Ain. Për fat të keq, gabimet që ai bën nuk janë në favor të lojës së futbollit, megjithatë askush nuk befasohet nga një njeri si Blateri. Racizmi është i papranueshëm në futboll, ndaj Sep Blater dhe FIFA duhet të marrin masa menjëherë, për shkak se efektet janë shumë të këqija në lojë. Simptoma të tilla, sado të vogla e të izoluara qofshin, duhet të trajtohen sa më shpejt të jetë e mundur. Unë cuditem si nuk reagojnë apo si nuk marrin masa kundër tij anëtarët e organeve drejtuese të FIFA-s?”
