Pushimet në Durrës shoqërohen me muzikë

Sheshet kryesore të qytetit të Durrësit janë mbushur ditët e fundit nga mijëra pushues, të cilët ndjekin koncertet muzikore të artistëve shqiptarë, të organizuara nga Bashkia në kuadrin e sezonit veror. Drejtori i departamentit të Kulturës në Bashki, Ardian Gurra tha sot se "mbrëmjen e së djelës në skenën verore të sheshit Taulantia" ishin mysafirë këngëtarët e njohur kryeqytetas Eranda Libohova, Kujtim Prodani dhe Ardian Trebicka". Duetet me këngë arbëreshe dhe korçare, këngët më të mira të repertorit të muzikës së lehtë të viteve ’60-’80 i dhanë gjallëri shëtitores deri në mesnatë. Që nga dita e premte e javës që u mbyll, në sheshin qendror dhe në shëtitoren bregdetare pushuesit e shumtë po argëtohen me këngët më të mira shqiptare dhe të huaja të rrymave të ndryshme muzikore, ndërsa në bulevardin Tregtar kanë performuar disa nga artistët DJ që kanë ngjallur veçanërisht entusiazmin e të rinjve.
Po ashtu fundjavën e kauar u organizua për të dytin vit radhazi veprimtaria masive "Nata e bardhë", ku këngëtarët dhe grupet muzikore Elvana Gjata, Çiljeta, Big Basta, Gerta Heta, Soni Malaj, Era Rusi, Produkt 28, etj, për afro 3 orë mbajtën ndezur entusiazmin në sheshin "Liria" të qytetit. Ndërsa për fëmijët në skenën verore të sheshit "Taulantia" dhe atë para Bashkisë u ndoqën me mjaft interes intepretimet e akrobatëve, xhonglerëve dhe kllounëve nga trupa e Cirkut të Tiranës.
Edicioni i dytë i veprimtarisë "Nata e bardhë" vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit me koncertin e grupeve të rrymës rrok Kodi, Qelbanix, Linda në Botën e Cudirave etj. Anija e artit me trupën "Caravan stage" ishte e veçanta e "Natës së bardhë", pasi spektakli muzikor nga artistë me kombësi të ndryshme përmbante këngë, kërcime dhe teater modern, të cilat u realizuan në një nga mjediset e portit më të madh të vendit.
...