Këshillat bashkiakë në rrethe, peng i politikës

Në disa prej qyteteve kryesore të vendit, vijon të zvarritet miratimi i buxhetit për vitin 2010. Shkaku kryesor, përplasjet PD-PS
Konfliktet mes mazhorancës qeverisëse dhe opozitës tashmë nuk janë ekskluzivitet vetëm i deputetëve të zgjedhur 28 qershorin e vitit të shkuar.
Këshillat bashkiakë të disa qyteteve, kryesisht të atyre që drejtohen nga socialistë, kanë shfaqur probleme të ndryshme, por që kanë të njëjtën origjinë: kundërshtitë politike. Dhe, siç mund të merret me mend, këshilltarët janë pozicionuar secili në kahet politike përkatëse.
Kjo ka bërë që qytete të rëndësishme të vendit, si: Durrësi, Vlora, Fieri, Elbasani, por dhe qytete të vogla si Patosi, të mos kenë një ecuri normale të punës së bashkisë për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë përfshirë këshillat bashkiakë. Kështu, qyteti i Vlorës mbeti për muaj me radhë peng i dy kryetarëve të këshillit bashkiak, njëri i LSI-së dhe tjetri i PS-së dhe vetëm gjykata arriti që ta zgjidhë si çështje, duke zgjidhur kështu problemin e mbajtjes peng të buxhetit për vitin 2010.
Ndërkohë, qytetet e Elbasanit dhe të Fierit e kanë nisur vitin me probleme për shkak të mosmiratimit të buxheteve përkatëse, pikërisht për shkak të konflikteve mes këshilltarëve të majtë dhe të djathtë, ku njëra palë kundërshton gjithçka që thotë tjetra, me akuza dhe kundërakuza, ku secili mbron zhvillimin e qytetit, por asnjëri prej tyre nuk tërhiqet.
Durrësi gjithashtu është cilësuar me probleme, të cilat lindën pikërisht në kohën kur mazhoranca qeverisëse fitoi shumicën pas kalimit të LSI-së me PD-në. Në këtë kohë filluan edhe zvarritjet e miratimit të shumë çështjeve të rëndësishme për qytetin.
Protagonist është bërë edhe qyteti i Patosit, ku tashmë dy kryetarë janë në podium dhe çështja ka shkuar në gjykatë. Edhe në këtë rast ka një përplasje mes PS-së, së cilës i përkiste kryetari i parë dhe PD-së, së cilës i përket kryetari i zgjedhur nga një mbledhje e zhvilluar në një lokal. Ndërsa pritej një vendim i togave të zeza për të vijuar normalisht procesin e tij, këshilli bashkiak i Patosit vijon të mbetet sërish peng i politikës.
Në të gjitha rastet kryetarët e bashkive kanë kërkuar një mirëkuptim mes palëve, teksa jo pak prej tyre kanë akuzuar pushtetin qendror se po ndikon në vendimet që po marrin këshilltarët e djathtë për të penguar punën e këtyre qyteteve që drejtohen prej tyre. Por edhe kundërakuzat nuk kanë munguar, ku të djathtët fajësojnë të majtët për qëndrime politike.
Elbasan
Debatet kanë përfshirë Këshillin Bashkiak të Elbasanit në mbledhjen e radhës të zhvilluar, ku qëllimi ishte miratimi i buxhetit pas shtyrjes së një muaji më parë. Fillimisht të djathtët, nëpërmjet kryetares së grupit Bardhoshe Sejdini, kanë deklaruar se buxheti ka probleme.
Disa zëra, sipas tyre, nuk ishin korrigjuar, si: investimet nga të ardhurat prej ALUZNI-t dhe taksa e ndikimit në infrastrukturë. Ndërkohë të majtët kanë kërkuar miratimin e strukturës dhe buxhetit, ndërsa janë shprehur se pas kësaj duheshin lënë detyrat përkatëse për administratën për të bërë korrigjimet.
Reagim ka pasur edhe kryebashkiaku Sejdini i cili i ka akuzuar të djathtët për pengesë në punën e bashkisë, bashkë me pretendimet e tyre për të shkurtuar administratën. Megjithëse jemi në shkurt, buxheti për vitin 2010 i bashkisë së Elbasanit ende nuk është miratuar.
Fier
Mosmiratimi i buxhetit për vitin 2010 ka ndodhur edhe në qytetin e Fierit. Edhe në këtë rast ka pasur një votim nga ana e të djathtëve për të sjellë një shkurtim të administratës, ndërkohë që pas katër orëve debat në mbledhjen e fundit, të majtët janë larguar.
Shkak kanë qenë pretendimet e këshilltarëve të PD-së se do të votonin pro buxhetit në rast se ndërmarrjet e pastrim-gjelbërimit do të kalonin me sipërmarrje. Një kërkesë e tillë në ditën kur pritej miratimi ka çuar në një acarim të këshilltarëve të PS-së, të cilët janë larguar. Ndërkohë, vetë të djathtët kanë miratuar ndryshimet e propozuara prej tyre, teksa buxheti vijon të mbetet ende i pamiratuar
Patos
Në qytetin e vogël të drejtuar nga Bardhi Meli, problemet në këshillin bashkiak filluan disa muaj më parë, dhe pikërisht në kohën kur kryebashkiaku deklaroi largimin nga radhët e LSI-së dhe kalimin me forcën e PS-së. Për t'u theksuar në mbledhjet e Këshillit Bashkiak ishte përplasja me punëtorët e pastrim-gjelbërimit, fondi për pagat e të cilëve nuk u miratua për një kohë të gjatë për shkak të mosmarrëveshjeve PS-PD.
Nga këto mosmarrëveshje 19 këshilltarë të PD-PDI-LSI pas largimit nga mbledhja, zhvilluan një tjetër mbledhje në ambjentet e një lokali, ku votuan shkarkimin e kryetarit të këshillit, i PS-së, dhe emërimin në vend të tij të njërit prej këshiltarëve të PD-së, Leonard Behaj. Një gjë e tillë ka bërë që këshilli bashkiak i Patosit të jetë me dy këshilltarë dhe me dy vula, pasi Maksim Goga i PS-së e ka çuar çështjen në gjyq për të rifituar vendin e tij në krye të Këshillit Bashkiak.
Vlorë
Këshilli bashkiak i qytetit bregdetar ka qenë problematik për një kohë shumë të gjatë. Konfliktet mes këshilltarëve të PD-së e LSI-së, si dhe atyre të PS-së çuan në drejtimin e disa mbledhjeve me dy kryetarë, i pari i LSI-së dhe i dyti i PS-së.
Mbledhje të tilla që vijuan me konflikte bënë që për disa muaj rreth këshilli bashkiak të mos funksiononte, ndërsa shumë projekte për qytetin mbetën zvarrë. Vetëm pas dhënies së vendimit të gjykatës, e cila linte në fuqi kryetarin nga LSI-ja, u vendos që të miratohej buxheti për vitin 2010.
Durrës
Këshilli bashkiak i Durrësit filloi të ndihej pikërisht në kohën kur të djathtët morën shumicën pas kalimit të LSI-së si forcë qeverisëse.
Një nga këto përplasje për zvarritjen e miratimit të vendimeve të ndryshme ishte edhe ajo për një pallat 20-katësh, për të cilin MPPTT-ja akuzoi kryebashkiakun Dako. Ky i fundit ia kaloi barrën këshillit bashkiak, duke u shprehur se ai duhet të merrte vendimin për shembjen e 7 kateve të ndërtuara mbi lejen e ndërtimit.
Fier, Zeqaj: Ja projektet e rrezikuara nga mosmiratimi i buxhetit
Pas mbledhjes së këshillit bashkiak të qytetit të Fierit, në të cilin nuk u miratua buxheti, kryetari i bashkisë, Baftjar Zeqaj, duke qortuar një veprim të tillë nga ana e këshilltarëve, renditi disa aktmarrëveshje të cilat rrezikojnë të dështojnë, pikërisht prej mosmiratimit të buxhetit 2010:
Akt-marrëveshja për banesat sociale e nënshkruar në vitin 2008 me shumën 67 milionë lekë të reja me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim; marrëveshja e ndërtimit të shkollës së mesme me 160 milionë lekë që është nënshkruar në vitin 2009 me Bankën Botërore; projekti holandez me 20 milionë lekë të reja për një qytet të pastër.
Zeqaj u shpreh se ndërmarrja e pastrimit do të jetë e fuqizuar me ndihmën e qeverisë holandeze; projekti "Efiçenca e energjisë" e nënshkruar në vitin 2009 me 8,2 milionë lekë, nga qeveria holandeze; projekti i rikonstruksionit total të bulevardit "Jakov Xoxe" me 80 milionë lekë. K.Thanasi