E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varrimi i Feratit bëhet më 3 shkurt

Ceremonia e varrimit të kryetarit të komunës së Istogut, njëherësh nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Fadil Ferati, i cili dje ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë, do të mbahet të mërkurën, më 3 shkurt, në varrezat e fshatit Gurakoc të Istogut.

Këshilli i caktuar për varrim në mbledhjen e sotme caktoi orarin për nderimet dhe ceremoninë e varrimit të kryetarit të komunës së Istogut. Të hënën, më 1 shkurt, në selinë qendrore të LDK-së, duke filluar nga ora 9.00 do të hapet Libri i Zisë, ndërsa mbledhja komemorative mbahet në Teatrin Kombëtar, në ora 11.00, ku një fjalë rasti do të mbajë presidenti Fatmir Sejdiu.

Të martën, në ora 8.20 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës do të arrijë arkivoli me trupin e pajetë të Fadil Feratit, ndërsa homazhet do të bëhen duke filluar nga ora 10.00, në Shtëpinë e Kulturës në Istog, për të vazhduar edhe ditën e mërkurë.

Po të mërkurën, në Shtëpinë e Kulturës në Istog do të mbahet një mbledhje komemorative, ndërsa ceremonia e varrimit do të mbahet në varrezat e fshatit Gurakoc, në ora 16.00.

Kryetari i komunës së Istogut dhe nënkryetar i LDK-së Fadil Ferati vdiq dje në moshën 50-vjeçare, në një spital të Gjermanisë, pas një sëmundje të rëndë.

Sejdiu: Fadili - Vullkan i gjallë prej të cilit shpërthente gjithmonë zjarr atdhetarie

Presidenti Fatmir Sejdiu, së bashku me zonjën Sejdiu dhe me bashkëpunëtorët e tij, vizitoi familjen e Fadil Feratit, me ç’rast në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës u shprehu ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Fadil Feratit, kryetar i Komunës së Istogut dhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Gjatë vizitës në Kuvendin Komunal të Istogut, Presidenti Sejdiu bisedoi me strukturat udhëheqëse të kësaj komune si dhe i ngushëlloi të gjithë qytetarët e Komunës së Istogut, të cilët në numër jashtëzakonisht të madh ishin tubuar në ndërtesën e Kuvendit Komunal për të nderuar kryetarin e tyre.

Po sot, Presidenti Sejdiu i vizitoi dhe u shprehu ngushëllime qytetarëve të Gurrakocit, të tubuar në shkollën e fshati Gurrakoc, vendlindja e Fadil Feratit.

Me këtë rast, Presidenti Sejdiu tha se humbja e Fadil Feratit është një humbje e madhe dhe e dhimbshme për Kosovën, sepse nuk do të kemi njeriun i cili diti aq fuqishëm dhe gjithmonë të jetë një vullkan i gjallë dhe të rrezatojë energji të paskajshme në Luftën për Lirinë dhe Pavarësinë e vendit dhe poashtu për ndërtimin e institucioneve të vendit dhe në udhëheqjen e tyre në mënyrën më të mirë.

“Fadilin e kisha bashkëpunëtor të ngushtë. Ai na mungon të gjithëve, parasegjithash familjes dhe të gjithë njerëzve të Kosovës”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Ndërkaq, në “Librin e Kujtimeve” për Fadil Feratin, Presidenti Sejdiu ndër të tjera shkroi: “Qoftë i përjetshëm kujtimi për Fadilin, kolosin e Kosovës i cili asnjëherë nuk diti dhe nuk deshi të ndalet e as të trembet në luftën e madhe e të gjatë për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Fadili ishte dhe mbeti vullkani i gjallë prej të cilit shpërthente gjithmonë zjarr i gjallë atdhetarie”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›