Masakra në Devoll, familjarët bllokojnë aksin nacional

Pas varrosjes së djalit të vogël, rreth 200 të afërm të familjes Mulliri kanë dalë në rrugën që lidh vendin tonë me Greqinë
DEVOLL- Familjarët e tre vëllezërve Mulliri bllokojnë për 2 orë rrugën nacionale Korçë-Kapshticë.
Kapja sa më parë e autorit, si dhe denoncimi ndaj drejtuesve të komisariatit të Bilishtit janë kërkesat e të afërmve të tre viktimave të Besim Karajt, vetëm tri ditë më parë në fshatin Vidohovë në rrethin e Devollit.
Pas ceremonisë mortore të djalit më të vogël të familjes Mulliri, Etlevanit 17-vjeçar, që vdiq një ditë më parë në Spitalin Ushtarak të Tiranës më shumë se 200 persona kanë mbërritur në qytetin e Bilishtit për të zhvilluar dhe protestën e tyre të parë.
Aksi nacional që lidh Shqipërinë me Greqinë nga ora 15:00 deri në orën 17:00 është mbajtur peng nga familjarët e vëllezërve Mulliri të ekzekutuar me automatik në qendër të fshatit Vidohovë nga 40-vjeçari Besim Karaj pas një tradhtie të gruas së tij me Taulant Mullirin, 23-vjeçar.
Hakmarrja e Karajt është derdhur mbi të gjithë meshkujt e familjes Mulliri, ndërkohë që me gjithë aksionet e shumta të policisë greke dhe asaj shqiptare, nuk është bërë i mundur arrestimi i autorit të kësaj tragjedie të trefishtë, që dyshohet se e ka ndryshuar vendosjen e tij disa herë gjatë këtyre ditëve në shtetin grek.
Familjarët e viktimave kanë zgjedhur këtë protestë për t'i bërë të ditur autoriteteve më të larta të shtetit shqiptar të ndërhyjnë për të vendosur drejtësinë dhe për të prangosur vrasësin ende të lirë.
"Ne kërkojmë që shteti të kapë sa më parë vrasësin, në të kundërt do të bëjmë vetëgjyqësi. Do të zhvarros djemtë e mi dhe do të nxjerr arkivolët në rrugë nëse vrasësi lihet i lirë. Të gjithë e dimë ku fshihet Besim Karaj, por vetëm shteti nuk mund ta kapë. I kërkojmë kryeministrit të veprojë për të na ndihmuar.
Policia e Devollit nuk e parandaloi këtë ngjarje të rëndë kur ne kërkuam ndihmë si familje, madje dhe vetë djemtë e mi që tani nuk jetojmë më. Unë do t'i shkoj deri në fund kësaj çështjeje, pasi tani nuk më ka mbetur asgjë e shtrenjtë. Motivi i jetës sime është të shoh të arrestuar kriminelin dhe para gjyqit dhe drejtuesit e policisë që neglizhuan këtë ngjarje që mund të parandalohej",- ka deklaruar babai i viktimave, Xhevahir Mulliri.
Tejet të indinjuar familjarët kanë mbajtur të bllokuar për rreth dy orë rrugën në hyrje të qytetit të Bilishtit, ndërkohë që kanë qënë drejtuesit e policisë lokale të cilët kanë hyrë në negociata për të zhbllokuar situatën.
Më shumë se dy kilometra radha nga njëri kah i rrugës në tjetrën ka paralizuar më shumë se 500 automjete që ktheheshin nga Greqia ose kishin destinacion shtetin fqinj, si dhe dhjetëra maune të ngarkuara me mall. Pas negociatave të policisë që kanë vazhduar për sa kohë është zhvilluar dhe protesta, është bërë i mundur qetësimi i situates, si dhe mbyllja e portës.
Drejtuesit e policisë kanë garantuar familjarët se autori i ngjarjes është duke u kërkuar prej tyre me forca të shumta policie dhe do të vihet para drejtësisë për krimin që ka bërë. Ndërkaq, kushti i familjarëve ka qenë vetëm 24 orë kohë për efektivat blu për të kapur autorin, në të kundërt do të bllokonin përsëri aksin nacional. Ndërkaq policia ka shpërndarë protestuesit të cilët janë kthyer në banesat e tyre.
Babai i viktimave gjithashtu ka bërë të ditur se jeta e tyre kërcënohet për sa kohë vrasësi është i lirë dhe shumë i armatosur dhe mund të veprojë përsëri duke rrëmbyer të tjera viktima. Besim Karaj u shpall në kërkim ditën e premte, ditë në të cilën ekzekutoi tre vëllezërit Xhilian, Taulant dhe Etlevan Mulliri.