E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli Bashkiak, 29 vota “pro” miratimit të Planit të ri Urbanistik

10-11-2011 / Gazeta 55

29 pro, 24 kundër, miratohet kërkesa e Lulzim Bashës për Planin e ri Rregullues

Basha kërkon votën e këshilltarëve për 7 projektet e propozuara  

UPDATE- Ka nisur mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, për të diskutuar dhe miratuar 7 projektet e propozuara nga kryetari i bashkisë, Lulzim Basha. Në fjalën e tij para anëtarëve, Basha kërkoi mbështetjen e këshilltarëve, për t’i dhënë një tjetër prioritet shërimit të plagëve të qytetit. Basha konsideroi të një rëndësie të veçantë, propozimin për miratimin e Planit të ri Urbanistik. “Qyteti ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë mungesën e një plani. Qyteti është i masakruar, i vrarë. Është mungesa e planit një nga shkaqet kryesore për situatat problematike që kemi. Duhet të krijojmë më shumë lehtësira për fëmijët, pleqtë, transport publik me kushte më të mira, hapësira të gjelbra dhe kënde lojërash. Unë erdha në këtë këshill për t’ju thënë se jam i gatshëm të nis punën për ndërtimin e Tiranës”- u shpreh Basha. Pas polemikave me anëtarët e opozitës në këshill, Basha garantoi se hatrimi i planit do jetë një proces i gjatë diskutimi me këshilltarët e bashkisë, grupet e interesit dhe duke mbledhur opinionet e qytetarëve.
“Unë jam këtu që të punojmë së bashku. Ju kërkoj të jeni pjesë thelbësore e procesit, të ngrini zërin dhe të merrni përgjegjësitë që iu kanë ngarkuar qytetarët. Ju keni mundësi që në këtë plan të thoni interesat tuaja, të grupit që përfaqësoni dhe të komunitetit ku jetoni. Ky plan do jetë objekt i gjerë diskutimi me grupet e interesit, do jetë një shprehje e vërtetë e mendimit të qytetarëve, për përfaqësimin e të gjitha shtresave të popullsisë në këtë plan. Ne punojmë për të ardhmen dhe dua t’ju garantoj se zëri juaj do jetë i rëndësishëm në hartimin e planit të ri urbanistik”- tha ai.
Më pas, kryetari i këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti, hodhi në votim kërkesën e Bashës për hartimin e Planit, duke marrë 29 vota “pro” dhe 24 kundër.

Kosovrasti: T’i japim mbështetje projekteve të Bashkisë

Gjatë diskutimeve të paketës “Basha” me 7 projekte, kreu i këshillit bashkiak të Tiranës, Njazi Kosovrasti, duke iu përgjigjur pretendimeve të këshilltarëve socialistë, tha se “në bazë të nenit 40, kryetari i Bashkisë sjell në këshill kërkesën për hartimin e nismës për nisjen e planit të ri urbanistik”. “Ligji e thotë shumë qartë, ne jemi në fillimet e punës. Kryetari i bashkisë na thotë se në bazë të nenit 40, unë përgatis planin urbanistik të Tiranës, ja dhe disa piketa shumë të rëndësishme, që janë projekte për qytetin se si do jetë bulevardi, unaza, terminali apo dhe tramvaji. Ai thotë se në bazë të këtij propozimi, jepni miratimin që unë të filloj punën. Ne duhet t’i japim këtë mundësi kryetarit të Bashkisë, në mënyrë që ai të vazhdojë punën e tij”- tha ai. Këshilltarët e Partisë Socialiste deklaruan se Këshilli Bashkiak ka miratuar njëherë më parë planin urbanistik të kryeqytetit dhe mund të miratohet vetëm ndonjë ndryshim i tiji. Këshilltarët e majtë thanë se rruga e zgjedhur nga stafi i Bashkisë është e zgjatur, me kosto në kohë dhe financiare.
Ndërsa, këshilltari demokrat Ferdinand Poni tha se të gjithë anëtarët e këshillit duhet të japin miratimin e tyre, në dobi të projekteve të Tiranës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›