E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, Gjinushi: Meta përçarës i së majtës

Kryetari i PSD, Skënder Gjinushi morri pjesë dje në konferencën e PSD në Fier. Në këtë konferencë, Gjinushi theksoi se alternativa që ne përfaqësojmë, së bashku me PS, alternativa e së majtës, është e vetmja alternativë e shpresës dhe ndryshimit të madh në qershor 2009. Gjatë konferencës, Gjinushi tha se taktika e LSI është pikërisht çarja e të majtës në mënyrë që të mos fitojë asnjë krah dhe ata të jenë përcaktues për poste kryeministrore, apo për çdo lloj pazari majtas e djathtas. Taktika jonë ndryshon qartazi nga taktika e LSI, tha kreu i PSD. Duke iu drejtuar socialdemokratëve të Fierit, Gjinushi tha se LSI në këshillin bashkiak të Fierit, punoi që këshillat e qarqeve të kalonin në favor të PD, duke vijuar se LSI edhe kur hyn me ty në zgjedhje del me kundërshtarët, e jo më kur ajo nuk hyn me  ty bashkë në zgjedhje, dihet se ku përfundon. Gjinushi theksoi se PSD është një forcë politike, që gjithnjë ka qenë bashkë me socialistët në pozitë dhe opozitë, e jo si LSI që thotë sa je në opozitë jam kundër teje, kur të vish në pushtet jam gati të bëhem me ty. Sipas tij, PSD ka treguar që është një parti që i takon të majtës së vërtetë, është aleatja më e qëndrueshme e PS. Gjinushi theksoi se Shqipëria meriton të integrohet, siç po anëtarësohet në NATO, të anëtarësohet në BE.  Por kjo qeveri, u shpreh Gjinushi ka bërë që dhe ky anëtarësim në NATO të mos bëhet me dinjitet, të mos bëhet me reforma të kryera, por të bëhet duke patur gjithnjë kushte dhe kritika nga më të rreptat për Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›