E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zgjedhjet - test për anëtarësimin në BE”

31/03/2009  Presidenti i Republikës apel qeverisë dhe partive politike

Presidenti i Republikës Bamir Topi i ka kujtuar qeverisë shqiptare, që po përgatit infrastrukturën zgjedhore, dhe të gjitha partive politike se zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 28 qershorit janë jo vetëm testi i Shqipërisë për të ecur më tej në anëtarësimin e saj në BE, por dhe guri i provës më i afërt që anëtarësimin tonë në NATO e kthen në përgjegjësi të përmbushur me sukses dhe të përligj besimin që aleatët tanë na kanë dhënë. Apelin e tij për një proces zgjedhor brenda standardeve kreu i shtetit e bëri gjatë pjesëmarrjes në forumin “Shqipëria drejt anëtarësimit në NATO”, organizuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare. “Standardet e kërkuara të zgjedhjeve politike të qershorit nuk përmbushen vetëm duke ndërtuar infrastrukturën e nevojshme zgjedhore, por edhe duke bërë një fushatë transparente, programore, vizionare dhe etike për të ndërgjegjësuar qytetarët se vetëm nëpërmjet votës së lirë ata mund të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve dhe ndërtimit të së ardhmes së tyre. Politika shqiptare nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare ka përgjegjësinë e madhe ta shkëpusë përfundimisht këtë vend nga udhëkryqet historike dhe politike”, - theksoi Topi në fjalën e tij. Duke përmendur sfidat e tjera që e presin vendin tonë pasi të jetë një anëtar me të drejta të plota në NATO, Presidenti përmendi edhe përfundimin e reformës në drejtësi dhe ato në sektorin e ekonomisë. “Synimet politike afatgjata të një vendi anëtar të NATO-s kërkojnë marrjen e masave të vazhdueshme për reforma politike e administrative drejt forcimit të institucioneve demokratike të mbështetura në sundimin e ligjit, për luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Përfundimi i kornizës ligjore të nevojshme së bashku me reformat në sistemin e drejtësisë janë kriter i domosdoshëm për t’u përmbushur nga një vend anëtar i NATO-s apo një vend që pret të aplikojë për kandidat në BE”, - vijoi ai.

Samiti i NATO-s

Më 4 prill në Samitin e Strasburg-Kehlit, në ditën e shënuar të 60-vjetorit të krijimit të Aleancës, vetëm një vit pas marrjes së ftesës për anëtarësim, Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota në organizatën më të madhe të demokracisë dhe të sigurimit: NATO.

Sfida

Një nga sfidat e reja të Shqipërisë si anëtare e re e NATO-s do të jetë rritja dhe përshtatja e aftësive të saj për të dhënë ndihmesë ushtarake sistematike për sigurinë ndërkombëtare sipas nevojave që do të paraqiten dhe kërkesave që do të shtrohen për tu përmbushur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›