E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi kërkon shtimin e zyrtarëve që kontrollohen

31/03/2009  ILDKP firmos marrëveshje me 4 institucione

Kuvendi i Shqipërisë kërkon shtimin e numrit të zyrtarëve të lartë, nëpunës apo të zgjedhur, deklaratat e pasurive të të cilëve t’u nënshtrohen kontrollit të plotë dhe të imtësishëm. Rekomandimi është bërë nga Departamenti i Monitorimit të Institucioneve të Pavarura pranë Kuvendit të Shqipërisë. Përballë këtij rekomandimi kreu i ILDKP-së Adriatik Llalla ka deklaruar se numri i zyrtarëve që kalojnë në kontroll të plotë përcaktohet me ligj. Nga ana tjetër, po dje drejtori i përgjithshëm i Tatimeve Artur Papajani vlerësoi se deklarimin e pasurisë duhet ta bëjnë të gjithë qytetarët shqiptarë.

Kërkesa

Ligjvënësi e ka konsideruar të vogël numrin prej 642 të kontrolleve të plota të deklaratave të pasurive të zyrtarëve nga ILDKP në vit, duke sugjeruar shtimin e tyre. “Të vazhdohet synimi për përmirësimin në vazhdimësi të një prej objektivave që i duhet kushtuar vëmendje forcimit të rolit investigues dhe parandalues, duke shtuar numrin e kontrolleve të plota”, - sugjeron Shërbimi i Monitorimit lidhur me raportin vjetor të ILDKP-së për vitin e shkuar. Për këtë çështje, në përgjigje edhe të shqetësimit të deputetit të PS-së Bashkim Fino, kreu i ILDKP-së gjatë raportimit të tij në Komisionin e Ligjeve sqaroi se kjo është çështje e përcaktuar në ligjet bazë të funksionimit të ILDKP-së. “Mendoj se është i nevojshëm një përmirësim në ligj. Zyrtarët që duhet të kalojnë për kontroll të plotë, se duhet të përqendrohet më shumë mbi bazën e të dhënave që institucioni që unë drejtoj mund të siguroj në rrugë të ndryshme informimi. Pra, që hetimi të përqendrohet tek ata zyrtarë që dyshohet se kanë pasuri të fituara në mënyrë të paligjshme”, - tha Llalla. Neni 17 i ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave” përcakton se kontrolli i plotë për verifikimin e vërtetësisë dhe të saktësisë së të dhënave që përmbahen në deklaratën e pasurisë kryhet çdo 2 vjet për drejtuesit e lartë shtetërorë, çdo 3 vjet për krerët vendorë dhe çdo 4 vjet për deputetët. Kontrolli ose rikontrolli i plotë i deklarimit kryhet çdo herë që gjykohet e nevojshme nga inspektori i përgjithshëm, kur ai ka të dhëna nga burime të ligjshme, që vënë në dyshim vërtetësinë dhe saktësinë e të dhënave që përmbahen në deklarimin e një zyrtari, si dhe kur ka mospërputhje pas kontrollit aritmetik e logjik, të cilat tregojnë se burimet nuk mbulojnë ose nuk justifikojnë të drejtat pasurore të deklaruesit.

Propozimi

Drejtori i përgjithshëm i tatimeve Papjani në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumeve të bashkëpunimit me ILDKP-në propozoi rritjen e numrit të atyre që duhet të deklarojnë pasuritë. “Gjykoj që të shohim në horizont drejt sistemit deklarativ të të gjithë popullsisë”, - tha ai.

Raporti njëvjeçar

Llalla: Kontroll partive? I kemi kapacitetet

Kontrolli i financimit të partive politike në të ardhmen pritet të bëhet nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive. Inspektori i përgjithshëm Adriatik Llalla deklaroi se institucioni që ai drejton ka të gjitha kapacitetet e duhura për ta realizuar këtë detyrë. “Institucioni që unë drejtoj ka kapacitetet e duhura për ta marrë përsipër këtë përgjegjësi. Njëherësh edhe institucione të tilla të ngjashme homologe, kryesisht në vendet e Evropës Perëndimore, janë institucionet që merren me kontrollin e financave të partive politike. ILDKP-ja ka edhe bazën e duhur teknologjike për regjistrimin e të dhënave më mirë se çdo institucion tjetër që ushtron veprimtari në vendin tonë”, - tha ai. Llalla raportoi para Komisionit të Ligjeve veprimtarinë njëvjeçare të institucionit të tij, ku theksoi se gjatë vitit 2008 ka evidentuar 66 raste në konflikt interesi të zyrtarëve të punësuar në institucione të ndryshme qendrore. “ILDKP-ja gjatë vitit 2008 ka shqyrtuar 120 raste të dyshuara për konflikt interesi, nga të cilat si të tilla kanë rezultuar vetëm 66, të identifikuara në rrugë ligjore. Në 19 raste konflikti i interesit është evidentuar gjatë kryerjes së procesit të kontrollit aritmetik e logjik, në 7 raste konflikti është evidentuar dhe konfirmuar në ILDKP nga shkresat e institucioneve të ndryshme të administratës publike dhe në një rast konflikti i interesit është ofruar nga media”, - theksoi inspektori i përgjithshëm. Numri i subjekteve që mbartin detyrime për deklarim është 3913.

Kontrolli i plotë

Gjatë vitit 2008 Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka kaluar për kontroll të plotë 642 zyrtarë, nga të cilët 436 për shkak të funksionit, 50 për shkak të problemeve të konstatuara nga kontrolli aritmetik e logjik dhe për 152 zyrtarë të tjerë si pasojë e shortit.

Kallëzimet

ILDKP-ja ka kallëzuar penalisht në Prokurori për fshehje të pasurisë një zëvendësministër dhe një prokuror. Gjithashtu në organin e akuzës janë dërguar për ndjekje penale edhe 4 subjekte deklaruese, zyrtarë të nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, pasi janë konstatuar shkelje të nenit 257/a të Kodit Penal.

Angazhimet

Drejtoria e Pastrimit të Parave angazhohet për marrjen e masave për sigurimin e provave kur kërkohet nga ILDKP-ja

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve angazhohet për përshpejtimin e procedurave ligjore në rastet e verifikimit të pasurive të fituara nga fshehja e detyrimeve fiskale.

Policia e Shtetit, kur kërkohet nga ILDKP-ja, angazhohet për të mbështetur në terren me punonjës të strukturave të saj grupet e investigimit të Inspektoratit të Lartë.

Avokatura e Shtetit merr përsipër të ndjekë rastet e pavlefshmërisë së akteve dhe kontratave administrative të nxjerra në kushtet e konfliktit të interesave.

Iniciativa ligjore

Pasuritë e paligjshme në emër të fëmijëve

ILDKP-ja pritet t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë amendimin e nenit 257/a të Kodit Penal, që lidhet me “refuzimin për deklarim, mosdeklarimin, deklarimin e rremë dhe fshehjen e pasurisë së personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”. Ky plotësim parashikon sanksionimin e masave ndëshkuese edhe për personat e lidhur me zyrtarin që mbart detyrimin për deklarim sipas ligjit, në rastet kur ata refuzojnë të deklarojnë ose fshehin pasurinë që kanë të regjistruar në emrin e tyre. “Krahas përgjegjësisë penale që parashikohet për të zgjedhurit dhe nëpunësit publik, të parashikohet përgjegjësi edhe për persona të lidhur me ta. Nga hetimet e bëra deri tani rezulton se pasuritë e fituara në mënyrë të dyshimtë regjistrohen në emër të personave të lidhur me këta zyrtarë”, - tha Llalla. Për këtë ILDKP-ja ka shtuar detyrimin e personave familjarë madhorë të zyrtarëve të deklarojnë.

Avokati i Shtetit propozon

“Paratë e fshehura të kalojnë në arkën e shtetit”

Paratë që fshihen nga zyrtarët e lartë do të konfiskohen dhe më pas t’i kalojnë Buxhetit të Shtetit. Deklarata është bërë nga Avokati i Shtetit Eduard Halimi gjatë ceremonisë së firmosjes së bashkëpunimit për luftën ndaj krimit ekonomik dhe evazionit fiskal me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. “Ky bashkëpunim synon të ndihmojë ILDKP-në si për evidentimin dhe hetimin e rasteve, identifikimin e tyre, ashtu dhe në çuarjen deri në fund të procedurave ligjore. Me marrjen e njoftimit për një zyrtar që ka dëmtuar pronën e shtetit, do t’u drejtohemi organeve të drejtësisë për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Paratë që nuk janë deklaruar të kalojnë në Buxhetin e Shtetit”, -theksoi Halimi. Gjatë fjalës së tij, pasi ka vlerësuar nismën e ndërmarrë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ai e ka vënë theksin te roli shumë i rëndësishëm që do të luajë institucioni i Avokatit të Shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›