Coli: “Jaho Mulosmani e ndihmoi bandën e Durrësit me rroba ushtrie”
Në seancën e djeshme, i penduari i bandës së Durrësit, Adriatik Coli, vijoi më dëshminë e radhës kundër shokëve të tij duke nxjerrë një emër të ri në çështje, por jo të panjohur për Drejtësinë shqiptare. Ndërsa avokatët kanë ndërtuar pyetjet për të lehtësuar sadopak pozicionin e klientëve të tyre, i penduari ka fundosur edhe një herë jo vetëm ata, por edhe emra të tjerë jo pak të njohur. Burime nga Gjykata e Krimeve të Rënda pohuan dje për gazetën “Albania” se në dëshminë e radhës në seancën gjyqësore, Adriatik Coli, ish-pjesëtar i bandës së Lulzim Berishës, ka përmendur Jaho Mulosmanin si bashkëpunëtor të bandës që e kishte bazën në qytetin bregdetar. Mulosmani aktualisht është në burg përjetë, pasi është cilësuar si një nga fajtorët për vrasjen e deputetit demokrat Azem Hajdari. Në rrëfimin e tij, Coli tregoi se Mulosmani, me detyrë ish-shef i rendit në Tropojë, ka furnizuar përmes familjarëve të tij, me rroba ushtrie dhe policie, anëtarët e bandës së Durrësit. Nga dëshmia mësohet se këto rroba i janë dorëzuar vetë Adriatik Colit. Dëshmitë e Colit janë konsideruar kyçe, jo vetëm për të vërtetuar akuzat ndaj të pandehurve, por edhe pse gjatë rrëfimit kanë dalë emra personash që nuk janë pjesë e dosjes që ka sjellë për gjykim institucioni i akuzës. Kështu, pas dëshmive të dhëna kohët e fundit, Coli përmendi ish-kreun e PDK-së në Malësinë e Madhe, Aleksandër Keka, vrarë me minë në makinë pak para zgjedhjeve të 28 qershorit. Coli përmendi edhe Dritan Dajtin, aktualisht i arrestuar për vrasjen e 4 policëve, si personazh që tentoi të bashkëpunonte me ish-anëtarë të bandës, bashkëpunim që nuk u arrti pasi u prishën pazaret. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, banda e Durrësit konsiderohej si më e rrezikshmja pasi kreu disa vrasje dhe realizoi një trafik të gjerë droge, kryesisht mes Shqipërisë dhe Italisë. Shumica e anëtarëve aktualisht po gjykohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda, proces i cili u desh dy vite për të hyrë në fazat e gjykimit normal.
24 Nentor 2009