Këshilli Kombëtar, Biberaj: Lista u manipulua nga lidershipi
Aleksandër Biberaj paralajmëron se në PD po rrezikohet demokracia. Vota e delegatëve, sipas tij, nuk u mor parasysh dhe lista u ribë.
TIRANË- Mospërfshirja në listën e 100 anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, të një prej zërave më kritikë në këtë parti, Aleksandër Biberaj, ka sjellë edhe reagimin e këtij të fundit.
Në një intervistë për gazetën "Shekulli", ish-anëtari i Këshillit Kombëtar Biberaj, akuzoi ashpër drejtuesit e Partisë Demokratike, që sipas tij, kanë manipuluar procesin e numërimit të votave, që shpallën fituesit e rinj të Këshillit Kombëtar.
Sipas Biberajt, ai ka marrë një numër të konsiderueshëm votash, që do ta bënte atë pjesë të Këshillit, por sipas tij, gjithçka është përmbysur në fundin e procesit. Ai vuri në dukje se e gjithë lista që përmban anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, është e rregulluar me dorë, gjë që sipas tij nuk shpreh aspak vullnetin e delegatëve të Partisë Demokratike. Në këtë mënyrë sipas tij, zgjedhjet po zëvendësohen me emërime dhe se PD po kultivon frymën e përjashtimit dhe jo të bashkëpunimit.
Arsyet e mospërfshirjes së tij në Këshillin Kombëtar, Biberaj i adresoi tek vendimmarrja e lidershipit të kësaj partie që sipas tij, ka manipuluar edhe rezultatin e zgjedhjeve të Këshillit Kombëtar.
Z. Biberaj, si e gjykoni Kuvendin e IX të Partisë Demokratike ku mungoi analiza për zgjedhjet e Qershorit, ku mungoi debati për funksionimin e Partisë dhe ku nuk u pranua as paketa juaj për ndryshimet statusore?
Kuvendi i IX i Partisë Demokratike ka qenë Kuvendi më jo demokratik, që ka zhvilluar kjo parti që nga themelimi. Nuk ka pasur asnjë debat dhe natyrisht nuk ka qenë një arenë për të pasur mundësi për debat, për diskutime, për pyetje, për përgjigje, siç ndodh zakonisht në Kuvendet kombëtare.
Kuptohet që Kuvendi Kombëtar i një partie, sidomos në pushtet duhet të jetë një moment shumë i rëndësishëm që partia reflekton të metat dhe gabimet e të kaluarës dhe përpiqet për të parë drejt së ardhmes.
Nuk janë analizuar dy zgjedhjet e fundit elektorale, ku Partia Demokratike ka pasur rezultate jo shumë të mira. Kemi humbur Tiranën dhe qytetet kryesore si në zgjedhjet lokale ashtu edhe në zgjedhjet e përgjithshme. Në zgjedhjet e përgjithshme nuk kemi arritur të paktën të fitojmë 71 mandate, për të krijuar një qeveri me aleatët tanë historikë, gjë që ka sjellë krijimin e një qeverie me të majtën dhe gjë që po shënon gradualisht kalimin e pushtetit nga Partia Demokratike tek e majta.
Gjykoj që statuti i Partisë Demokratike duhej të ndryshohej në përmbajtjen e vet. Natyrisht, janë bërë disa ndryshime formale, më shumë për të përshtatur strukturën e partisë me strukturën elektorale. Por, nuk është prekur përmbajtja.
Mendoj që duhej sanksionuar zbatimi i parimit "një anëtar një votë", duhej legalizuar mendimi ndryshe ose ekzistenca e fraksioneve në parti, duhej bërë ndarja e mandateve ekzekutive me mandatet politike në parti, kufizimi i mandateve dhe shumë elementë të tjerë demokratikë që përfshiheshin në draftin e paraqitur nga ana ime. Gjykoj që lidershipi ishte i papërgatitur në Kongres, pasi nuk pamë ide, nuk pamë program, nuk pamë vizion.
Kështu që, në një farë mënyre, ky ishte Kongres më shumë dekorativ sesa pati ndonjë zhvillim cilësor. Mendoj se Partia Demokratike duhej të shikonte drejt së ardhmes, duhej të projektonte Partinë Demokratike të dekadës tjetër, gjë që nuk ndodhi. Megjithatë, mendoj se gjërat do të jenë në dinamikën e vet dhe do të ketë lëvizje të tjera.
Si e vlerësoni procesin zgjedhor për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar?
Natyrisht, procesit i ka munguar transparenca nga fillimi deri në fund. Sikurse është shkelur statuti me të dyja "këmbët", sepse nuk dihet nga kanë ardhur propozimet, nuk është mbledhur Kryesia siç e parashikon statuti, nuk është mbledhur as Këshilli Kombëtar. Pra, nuk dihet se kush e ka hartuar atë listë.
Gjithsesi, edhe procesi i votimit le shumë për të dëshiruar lidhur me transparencën e numërimit të votave; ka munguar transparenca dhe mendoj që rezultatet që janë publikuar nga lidershipi, janë rezultate të manipuluara, që nuk shprehin vullnetin e delegatëve të Kuvendit Kombëtar.
Cilat janë arsyet që ju keni mbetur jashtë Këshillit Kombëtar?
Arsyet kanë të bëjnë me vendimmarrjen e lidershipit të Partisë Demokratike. Më rezulton se kam qenë ndër më të votuarit edhe në këtë Kongres, sikurse në Kongreset e tjera ose në forumet e tjera, që nga themelimi i Partisë Demokratike e deri sot. Rezultati është manipuluar. Pra, nuk është rezultati shprehje e vullnetit të delegatëve.
Mendoj që cenimi i numërimit të votave përbën edhe cenimin e demokracisë së brendshme në parti, gjë që duhet të jetë një sinjal fare i qartë për të gjithë demokratët, të cilët duhet të japin maksimumin në kontributin e tyre për demokratizimin e Partisë Demokratike, aq më tepër që jemi në fillimin e mandatit të dytë qeverisës, një mandat që mesa duket do të jetë problematik dhe i vështirë, përpara sfidave që kërkon koha, pasi Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe e ka rrugën të hapur për në Bashkimin Evropian.
Ju u shprehët më lart, se ju rezulton që jeni votuar për në Këshillin Kombëtar nga delegatët e Partisë Demokratike, ku e bazoni këtë informacion?
Natyrisht kam qenë anëtar i Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar, edhe unë kam kontaktet e mia dhe jam informuar për rezultatet e votimeve në dinamikën e tyre. Përmbysja ka ndodhur në fundin e procesit. Po ta shikosh listën gjithçka është rregulluar me dorë ose më saktë është lidershipi i partisë që ka vendosur për këtë radhitje, nuk është vullneti i delegatëve.
Të vjen keq për situatën në të cilën ndodhet Partia Demokratike, është një situatë sëmundjeje, pasi kemi një shmangie nga fryma civile e dhjetorit të viteve '90, kemi një shmangie nga fryma intelektuale, që ka pasur kjo parti në fillimet e veta.
Nuk ka konkurrencë brenda partisë.
Pra, zgjedhjet po zëvendësohen me emërime. Situata e brendshme e demokracisë është vërtet e rrezikuar. Nuk ka frymë kolegjiale në vendimmarrje, por ka vendimmarrje të tipit autoritar të kultit të individit. Fryma e bashkëpunimit që duhet të ketë një parti moderne është zëvendësuar me frymën e përjashtimit nga partia.
Pra, janë një sërë treguesish që tregojnë se Partia Demokratike nuk është në gjendje të mirë, dhe unë e shoh me shqetësim të ardhmen e kësaj partie.
Si e konsideroni faktin që shumë figura politike që kanë dhënë kontribut në Partinë Demokratike janë zëvendësuar me figura të tjera, që nuk njihen për asnjë kontribut të veçantë në këtë parti?
Pikërisht, ky është treguesi i manipulimit të votave. Nuk mund të ndodhë që delegatët e Partisë Demokratike të votojnë për persona, të cilët nuk i njeh askush në Partinë Demokratike, mund të mos jenë edhe anëtarë të Partisë Demokratike, nuk kanë asnjë lloj kontributi në parti apo në politikë në përgjithësi.
Por, janë thjesht të sjellë në mënyrë artificiale, të katapultuar nga lidershipi klanor i Partisë Demokratike. Nuk ma merr mendja që ka demokrat që beson në Shqipëri, që mbetën jashtë Këshilli Kombëtar, themelues të kësaj partie, intelektualë me vlera dhe me kontribute në Partinë Demokratike, dhe të fitojnë persona që nuk kanë asnjë lloj lidhje me Partinë Demokratike dhe që vijnë në PD thjesht nga mbështetja klanore që kanë pasur.
Ju jeni shprehur shpeshherë për demokratizimin e Partisë Demokratike, sa mundshme është kjo dhe si mund të arrihet?
Natyrisht që unë kam bërë përpjekjet e mia për demokratizimin e Partisë Demokratike. Janë momente që e gjithë anëtarësia e Partisë Demokratike duhet të përpiqet për të demokratizuar Partinë Demokratike, sepse është një parti që përbën një aset kombëtar, por edhe që ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë 19 viteve të historisë së Shqipërisë, parti që padyshim që ka pasur arritjet e veta, por me zhvillimet e fundit rrezikon të ardhmen e vet demokratike.
A mendoni se mënyra sesi po operon Partia Demokratike deri më tani duke mos lejuar fraksione brenda saj po e çon këtë parti drejt homogjenizimit dhe përqendrimit të pushtetit në pak duar?
Realisht po ndodh ky fenomen. Partia po shndërrohet në një bashkim njerëzish, të cilët janë të detyruar që të jenë në sinkron me lidershipin për gjithçka.
Mendoj që kemi humbje të individualiteteve dhe të personaliteteve brenda Partisë Demokratike. Leksioni që po jepet është që nuk duhet të mendojmë, nuk duhet të lexojmë dhe nuk duhet të shkruajmë ata që dëshirojnë të mirën me politikë në Partinë Demokratike. Pra, në një farë mënyre të jenë "lejfenë". Është një fenomen që e dëmton rëndë Partinë Demokratike dhe të ardhmen e saj.
Prezenca e mendimit ndryshe dhe legalizimi i fraksioneve në parti krijonte kushte për diversitet brenda Partisë Demokratike, në mënyrë që kjo të ishte parti e të gjithë shqiptarëve, siç është themeluar më 12 dhjetor të vitit '90. Fatkeqësisht kjo po konvertohet në parti të një klike të korruptuar, që padrejtësisht ka pushtuar Partinë Demokratike.
Si e parashikoni të ardhmen e Partisë Demokratike në katër vitet në vijim?
Duke parë partitë politike, si shkolla partie - demokracie mendoj që demokratizimi i tyre është i rëndësishëm.
Në këtë aspekt, mendoj jo vetëm Partia Demokratike por edhe parti të tjera duhet të kenë një reformim demokratik, në mënyrë që atmosferën demokratike që kanë brenda partisë, ta përcjellin më pas edhe jashtë saj. Kështu që, në këtë pikë jo vetëm Partia Demokratike, por të gjitha partitë kanë reformën për të kryer.
Partia Demokratike ka sfida të rëndësishme përpara. Ka një raport numrash në Parlament të diskutueshëm sepse nuk ka një mazhorancë të konsoliduar, është realizuar një aleancë me të majtën, me të cilën nuk e dimë sesa e qëndrueshme dhe sesa afatgjatë do të jetë, përfshiu këtu edhe zhvillimet brenda Partisë Demokratike mendoj që do ta kemi vështirë në të ardhmen.