Brace: Jemi në krizë. Qeveria harxhoi pa limit për zgjedhjet
Deputeti i PS-së, Erion Braçe, argumentoi dje arsyet se pse Shqipëria është në krizë, duke kundërshtuar deklaratat e kreut të ekzekutivit.
TIRANË- Ndryshe nga kryeministri Sali Berisha, i cili dy ditë më parë u shpreh se në Shqipëri nuk ka krizë ekonomike, deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka argumentuar dje se arka e shtetit është bosh dhe kjo vetëm për faj të politikave, që ka ndjekur qeveria aktuale.
"Pagesa e rritjes, simbolike, por elektorale të rrogave e pensioneve që në maj, u identifikua nga Kryetari i PD-së, si arsye për mospagesën e rrogave, pensioneve e reduktimin e shpërblimeve tani. Në maj, ai e quajti sukses pagesën për zgjedhje, në dhjetor po ky e quan sukses mospagesën për festë në çdo familje.
Për herë të parë pas 6 vitesh, mësues, edukatorë, mjekë, infermierë, ushtarakë, policë, nëpunës të administratës politike qendrore e vendore nuk do të marrin pagën e 13-të, por do e mbyllin vitin me 11 ose 11 paga e gjysmë. Për herë të parë pas 6 vitesh, pensionistë, në qytet apo në fshat, nuk do të marrin pensionin e 13-të, por do e mbyllin vitin me 11 pensione e çerek.
Për herë të parë pas 6 vitesh, invalidët në qytet apo në fshat, mbi 70 % e tyre nuk do të marrin pagesën e 13-të, por po e mbyllin vitin me 9 paga", - tha dje Braçe, duke shtuar se pikërisht kjo situatë është shenja më e dukshme e krizës në vend. Duke bërë publike për median tabelën e treguesve fiskal gjatë periudhës 11 mujore, Braçe theksoi se qeveria
ka harxhuar për paga në 11 muaj, mbi 1 mld lekë të reja, më shumë për punëtorë me kontrata elektorale. "Vetëm në maj-qershor, muajt e zgjedhjeve, qeveria ka harxhuar për rroga mbi 10 mld lekë të reja.
Në 11 muaj qeveria ka harxhuar për pensione elektorale, pensione të posaçme, mbi 720 mln lekë të reja më shumë. Vetëm në maj qershor, muajt e zgjedhjeve, qeveria ka harxhuar për pensione mbi 12.8 mld lekë të reja. Ndaj lekë për të paguar rrogat e pensionet, tani nuk ka.
Qeveria ka paguar në nëntor 5.5 mld lekë të reja për rrugën Rrëshen-Kalimash, kur ajo konsiderohet e përfunduar si rrugë dhe në tunele që nga dita e parë e nëntorit nuk punohet. Për shkak të këtij statusi, në shtator-tetor, qeveria nuk ka paguar asnjë qindarkë për këtë rrugë. Për shkak të këtij statusi në buxhetin e 2010 janë parashikuar vetëm 3 mld lekë",- tha ai. Braçe shtoi se, shqiptarët duhet ta dinë që
gjysmat e parave të paguara për nëntorin në rrugën e mbyllur, janë të mjaftueshme për rrogat e papaguara të dhjetorit, dhe të mjaftueshme për të paguar pensionin e 13-të për çdo pensionist, në qytet apo fshat.
"Ky është efekti i keqqeverisjes, korrupsionit si prioritet qeverisës së Sali Berishës dhe Ilir Metës. Po e përsëris, kriza dhe arka bosh, si efekt i saj është fakt, të cilin, tani nuk e zhbën dot",- tha ai.