Strasburgu, rigjykoni krimet e Lul Cakës
Gjykata e të Drejtave Europiane e të Njeriut sugjeroi rishikimin e dënimit të Lul Cakës, për shkak të mos paraqitjes së dëshmitarëve në proces
Veç rihetimit gjyqësor për shkeljet e gjetura, shteti shqiptar duhet t'i japë Cakës 2000 euro dëmshpërblim moral
TIRANË- Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, i dha të drejtë Lulzim Cakës, për pretendimin e shkeljes së të drejtës për një proces të rregullt ligjor nga drejtësia shqiptare. Për këtë shkak ajo i sugjeron autoriteteve shqiptare rihapjen procesin penal në ngarkim të Lulzim Cakës, për të rishqyrtuar elementët e konsideruara si shkelje. Me 8 dhjetor 2009, Gjykata e Strasburgut, vendosi për çështjen "Lulzim Caka kundër Shqipërisë".
Ai ishte ankur në këtë gjykatë, për shkelje të të drejtës për një proces të rregullt ligjor, për shkelje të të drejtës së tij për trajtim të përshtatshëm mjekësor gjatë periudhës së ndalimit dhe për kohëzgjatjen e qëndrimit të tij në paraburgim.
Caka, i njohur si një nga të fortët e Beratit, është dënuar nga gjykata shqiptare për "vrasje", "vrasje të mbetur në tentativë" ndaj punonjësve të policisë dhe për "armëmbajtje pa leje" të kryer në bashkëpunim.
Gjykimi i tij, i kryer pas trazirave të vitit 1997, nisi fillimisht në Gjykatën e Beratit, e më pas u transferua në atë të Fierit me kërkesë të prokurorisë, mbështetur në argumentin se situata në Berat nuk ishte e përshtatshme për gjykimin normal dhe për paraqitjen e dëshmitarëve në proces.
Për akuzat ndaj tij, në Gjykatën e Fierit, Caka u dënua me 25 vjet burg, vendim që u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit në Vlorë. Nga Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese kjo çështje nuk u pranua për shqyrtim.
Pretendimet
Lidhur me pretendimin tjetër për pamundësinë e pyetjes së dëshmitarëve të kërkuar prej tij, Strasburgu e konsideroi shkelje faktin që tre punonjës policie, që kishin dëshmuar përpara prokurorisë, nuk dëshmuan në gjykatën e brendshme me gjithë kërkesat e vazhdueshme të trupit gjykues dhe të të akuzuarit.
Gjykata e konsideroi shkelje këtë fakt, duke argumentuar se dështimi i autoriteteve shtetërore (madje duke i specifikuar: Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Policisë), për të siguruar paraqitjen e oficerëve të policisë në gjykim, shoqëruar edhe me pazotësinë e Gjykatës Shqiptare për të siguruar forcërisht paraqitjen e këtyre dëshmitarëve, konsiderohen si shkelje e së drejtës për të siguruar një proces të rregullt ligjor sipas nenit 6.
Kjo shkelje ekzistoi edhe në Gjykatën e Apelit, e cila me gjithë kërkesën e ankuesit, nuk e mori në konsideratë thirrjen e këtyre dëshmitarëve.
Gjithashtu, Strasburgu evidentoi shkelje lidhur me faktin që pyetja e katër dëshmitarëve në favor të ankuesit, e bërë në gjykatën e Beratit, nuk u mor në konsideratë nga Gjykata e Fierit, në të cilën u transferua çështja, pa paraqitur asnjë arsye apo argument.
Në fund Strasburgu konstatoi shkelje edhe për faktin se tre dëshmitarë të tjerë në favor të akuzës përpara organit të hetimit, nuk ishin thirrur në gjykim për t'u ballafaquar me Lul Cakën, me gjithë kërkesën e tij, por u lexuan thëniet e tyre nga organi i akuzës, duke rënduar kështu pozitën e tij në vendim. Përveç deklarimit të shkeljeve, Strasburgu i akordoi ankuesit edhe 3000 euro për dëmin moral.
Rrëzohen pretendimet për mos mjekim dhe tejkalim të paraburgimit
Lidhur me pretendimet e ngritura nga Caka në Strasburg, kjo Gjykatë deklaroi të papranueshëm pretendimin e tij për mungesën e mjekimit të papërshtatshëm gjatë periudhës së paraburgimit me argumentin se ankuesi nuk kishte paraqitur ndonjë pretendim të tillë tek organet e brendshme si një rrugë e detyrueshme për t'u shteruar përpara se t'i drejtohej gjykatës evropiane.
Po kështu, Strasburgu rrëzoi pretendimin e ankuesit për kohëzgjatjen e ndalimit me argumentin, se ky pretendim i qe paraqitur jashtë afatit gjashtëmujor të kërkuar nga Konventa.