Këshilli Kombëtar i PD-së mblidhet në shtator
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike pritet të mblidhet vetëm në fillim të muajit shtator. Burime pranë PD-së bëjnë të ditur se mbledhja e forumit të lartë demokrat do të përkojë me fillimin e sesionit të ri parlamentar. Në këtë mënyrë pritet që PD të mos e mbledhë Këshillin Kombëtarë as në muajin gusht për të zgjedhur kryesisë e re të saj dhe sekretariatin. Vijimi i shtyrjeve të mbledhjes së këtij forumi të lartë, përmes të cilit pritet të zgjidhet kryesia e re e demokratëve, ka nisur prej dhjetorit të vitit të kaluar. Fillimisht kreu i qeverisë, njëkohësisht kryetari i demokratëve, Berisha, theksoi se Këshilli Kombëtar do të mbahej janar dhe më pas në shkurt, por deri tani mbledhja e tij për një arsye apo një tjetër nuk ka qenë e mundur. Sipas statutit të PD-së, do të jetë kryetari i partisë, Sali Berisha, personi i cili do t’i paraqesë Këshillit Kombëtar edhe listën me 38 kandidatura, mes të cilave anëtarët e këtij këshilli do të zgjedhin me votim të fshehtë 25 anëtarët e kryesisë së re të PD-së. Po kështu, sipas statusit, të drejtën për t’i bërë propozime e ka edhe vetë ky forum i lartë, kryesia e PD-së, kryesitë e degëve, dhe jo më pak se 15% e anëtarëve të Kuvendit kombëtar me të drejtë vote, të shpërndarë në të paktën pesë degë të PD-së. Përveç çështjeve teknike të mënyrës së përcaktimit të kandidaturave, demokratët bëjnë gjithashtu të ditur se favoritë për të qenë pjesë e kryesisë janë edhe 30 emrat e parë më të votuar të Këshillit Kombëtar. Nga një vëzhgim i shpejtë i emrave, vihet re se emrat e rinj mes më të votuarve në këshill në dhjetorin e shkuar janë ato të deputeteve demokrate: Mesila Doda dhe Rajmonda Bulku, është prefekti i Tiranës, Keltis Kruja dhe zëdhënësja e Kryeministrit Berisha, Erla Mëhilli. Gjithsesi, pavarësisht emrave favoritë, gara për kryesinë e re të demokratëve pritet të ofrojë edhe surprizat e saj, nisur dhe deklaratat e Kryeministrit Berisha, se rinovimi i strukturave është një politikë që PD-ja do ta ndjekë në këto zgjedhje. Po kështu, rinovimi dhe shtimi i posteve pritet të ndodhë edhe në sekretariatin e Partisë Demokratike. Por nga ana tjetër, asnjë ndryshim nuk do të ketë në emrat kryesorë të kryesisë aktuale dhe emrat që mbajnë postet e sekretarit të përgjithshëm dhe dy nënkryetarëve të partisë më të madhe në mazhorancë.
#