E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i drogës në Itali, 10 vjet burg për Dorina Brikën

Vendimi Nëna e dy fëmijëve të mitur ishte dënuar nga Gjykata e Apelit të Milanos në vitin 2004

Njihet me vendimin e gjykatës italiane Dorina Brika, 33-vjeçarja nga Tirana, e cila u arrestua në shkurt të këtij viti gjatë një operacioni policor në disa qytete të vendit. Brika ishte dënuar nga togat e zeza të Milanos nën akuzat e trafikut të drogë me 14 vjet heqje lirie. Ka zgjatur rreth 6 muaj procesi në Gjykatën e Tiranës për dhënien e dënimit, i cili u zbrit në 10 vjet, pasi u llogarit koha e paraburgimit dhe fakti që 33-vjeçarja ka në kujdestari prindërore dy fëmijë të mitur.

Vendimi

Prokurori kishte kërkuar njohjen e vendimit penal të formës së prerë të Gjykatës së Apelit Milano Itali, nr.3164, dt.14.07.2004, për të dënuarën Doriana Haxhiaj (Brika). Në bazë të këtij vendimi Brika ishte dënuar me 14 vjet burgim për kryerjen e veprave penale të “Pjesëmarrjes në organizatë, me synim trafikun e lëndëve narkotike” dhe “Trafikim të paligjshëm të lëndëve narkotike”. Pas marrjes së dokumentacionit të nevojshëm, Ministria e Drejtësisë e RSH, më dt.28.12.2009, me anë të shkresës nr.567/prot D.S., i ka kërkuar Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm Tiranë për të proceduar me njohjen e vendimit të dhënë ndaj të gjykuarës Doriana (Haxhiaj) Brika. “Nga shqyrtimi gjyqësor i dokumentacionit të dërguar nga autoritetet e drejtësisë italiane dhe të paraqitura para gjykatës nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë (vendim dënimi, urdhër ekzekutimi, përmbledhje e fakteve) të përkthyera zyrtarisht në gjuhën shqipe, rezulton se e dënuara ka qenë e burgosur/arrestuar në burgun e Milanos, nga data 28.02.2001, deri në datën 19.07.2002, kohë kur Gjykata e Milanos ka zëvendësuar arrestin me burg, në arrest shtëpie, të cilin e dënuara ka vazhduar ta vuajë deri më 19 dhjetor të vitit 2002”, thuhet në vendimin e gjykatës. Po duke iu referuar vendimit, e dënuara Doriana Haxhiaj, alias Doriana Brika, duhet të vuante dënimin në burgjet shqiptare, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e veprave. “Gjykata e gjen me vend të parashtrojë në këtë arsyetim edhe disa rrethana, si faktin që e gjykuara është nënë e dy fëmijëve të mitur, të cilët i ka në ngarkim dhe madje njëri prej tyre rezulton i lindur me probleme shëndetësore; apo problemet e karakterit depresiv të të gjykuarës. Gjykata çmon se e dënuara Doriana Haxhiaj, alias Doriana Brika, duhet të vuajë në Shqipëri një dënim prej 10 vjet burgim. Në ekzekutimin e këtij dënimi duhet të mbahet parasysh, që të dënuarës t’i zbriten 3 (tre vjet) burgim, si dhe periudha e qëndrimit e arrestuar në burg dhe në shtëpi në shtetin italian. Po kështu, të dënuarës në vuajtjen e dënimit duhet t’i llogaritet edhe koha e qëndrimit në arrest në burg në Shqipëri nga data 17.02.2010. Bazuar në nenin 516 të Kodit të Procedurës Penale, konvertimin e dënimit të dhënë prej 14 vjet burgim, duke i caktuar shtetases shqiptare Doriana Haxhiaj, alias Doriana Brika, një dënim prej 10 vjet burgim”, shkruhet në vendimin e togave të zeza.

Operacioni

Tre persona të dënuar për trafik droge, mes të cilëve edhe Dorina Brika, u arrestuan gjatë një operacioni në Tiranë. Të arrestuarit janë dënuar në Gjermani, Itali dhe Shqipëri, për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizata kriminale. Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë realizuan më 17 shkurt 2010 ekzekutimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasen Doriana Agim Brika, 33 vjeçe, lindur dhe banuese në Tiranë. Masa e sigurisë ishte vendosur në kuadër të njohjes së vendimit penal të Gjykatës së Apelit në Milano, Itali, datë 14 korrik 2004, duke e dënuar Doriana Brikën me 14 vjet burg për veprën penale të “pjesëmarrjes në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, si dhe për “trafikim të lëndëve narkotike”. Sipas të dhënave policore, prej disa kohësh Brika ishte në vëzhgim. Pikërisht më 30 janar gjykata kishte vendosur masën e sigurisë për të, por ishte pritur realizimi i disa procedurave për kapjen e saj. Burimet policore shpjeguan atëherë se Dorina Brika (Haxhiaj) u kap në një vilë luksoze në afërsi të Burgut 313, pranë pazarit të gjësë së gjallë, që është banesa e saj. Policia tha se Brika nuk kishte pasur asnjë precedent penal në Shqipëri dhe është dashur një punë shumë e gjatë për identifikimin e saj. Tashmë, me ligjin e ri “Antimafia” ajo mund të rrezikojë edhe pasurinë e saj. Nga të dhënat e policisë italiane, ajo ishte larguar nga Italia që në momentin që ishte shkatërruar grupi me të cilin bashkëpunonte.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›