Këshilli Studentor dhe FRPD, protestë ndaj Ramës
Këshilli Studentor dhe të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike organizuan dje përpara Bashkisë së Tiranës një protestë paqësore kundër grevës së urisë së ndërmarrë nga deputetët dhe simpatizantët socialistë. Me thirrje dhe pankarta në duar, këta të rinj i kanë bërë thirrje kryetarit të PS-së, njëkohësisht kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama, që të ndalë grevën e urisë, për të mos penguar edhe liberalizimin e vizave. Kryetari i këtij këshilli, Qamil Dika, deklaroi se kreu i PS-së, Edi Rama, po përdor të gjitha format për të mos lejuar që qytetarët shqiptarë të lëvizin të lirë në Bashkimin Europian. “Ne sot jemi me pranë se kurrë ëndrrës sonë, që të jemi së bashku me bashkëmoshatarët tanë në Europën që na bashkon, por zoti Rama, duke shfrytëzuar në mënyrë çnjerëzore militantët e tij, që prej tetë muajsh po bën çdo përpjekje që kjo ëndërr mos të realizohet”, deklaroi drejtuesi i Këshillit Rinor. Po dje, Partia Demokratike ka dënuar ashpër kërcënimet që kanë ardhur ndaj deputetes së Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, deklaroi se Bulku është kërcënuar vetëm pse ajo denoncoi me guxim aktin barbar të Edvin Ramës ndaj fëmijëve të nënave që ai ka burgosur në mes të bulevardit. “Edvin Kristaq Rama, Gramoz Ruçi, Ilir Xhelil Gjoni dhe pinjollët e tjerë të Bllokut, kërcënuan Rajmonda Bulkun sepse kjo grua e nënë shqiptare nuk mundi të pajtohej me terrorin psikologjik, psikodramën dhe lëndimin e thellë shpirtëror që përjetojnë vogëlushët që kanë nënat e tyre të ngujuara në grevën Rama–Ruçi”, deklaroi Mëhilli. Sipas zëdhënëses, autorët e këtij kërcënimi do të marrin përgjigjen e merituar ligjore.
#