E Shtunë, 31 Tetor 2026

Task Forca: Dogana nuk denoncon rastet në prokurori

Ndaj drejtuesve të Drejtorisë së Doganës mund të fillohet hetimi për “shpërdorim detyre”

Njësitë e përbashkëta hetimore të pagëzuara si Task Forcë në shtatë rrethe të Shqipërisë janë ankuar për mosdenoncimin në kohë të abuzimeve nga Drejtoria e Doganave. Diskutantët, duke filluar nga kreu i njësisë në Durrës, Madrid Kullolli, dhe të konfirmuara nga drejtuesi i njësisë në Prokurorinë e Përgjithshme, Arben Kraja, kanë ngritur shqetësimin se kallëzimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave vijnë në prokurori me shumë vonesë. Drejtuesi i Task-Forcës në Durrës, Kullolli, deklaroi se njësia që drejton ka rreth 50 kallëzime të doganave, të cilat e kanë subjektin e veprës penale në vitin 2005. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe, pra nga viti 2005 dhe deri në ditët e sotme, doganat nuk kanë realizuar asnjë verifikim për këto abuzime, por kanë pritur që vepra penale të parashkruhet dhe ta referojnë në afatet e fundit të parashkrimit. Një gjë e tillë, sipas Kullollit, është e patolerueshme dhe këtë shqetësim ia ka përcjellë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Ndërkohë, drejtuesi i njësisë në akuzën qendrore, Arben Kraja, tha se problemi është real dhe duhet të gjenden rrugët për ta zgjidhur këtë ngërç. Në lidhje me këtë temë ka dhënë opinionin e tij edhe anëtari i njësisë së përbashkët hetimore në Tiranë, Gentian Osmani, i cili tha se mosdenoncimi në kohë i këtyre kallëzimeve përbën shkelje të pastër të ligjit dhe ndaj drejtuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave mund të fillojë një hetim për “shpërdorim detyre”.

Në këtë seminar, fjalën e morën edhe drejtuesit e njësive në rrethe. Drejtuesja e Fierit, Alma Kola, tha se në njësinë që drejton nuk ka denoncime nga Drejtoria e Doganave, ndërsa kreu i njësisë në Gjirokastër tha se ka shumë pak vepra penale për korrupsion.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›