EAGLE MOBILE, NJË ME NATYRËN!
Kompania rinore e telefonisë celulare, Eagle Mobile, ka startuar muajin e aksionit të pastrimit të ambienteve në qytete të ndryshme, me sloganin “Një me Natyrën”. Drejtues të Eagle, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Mjedisit, së bashku me më se 200 nxënës të shkollës “Gjergj Kastrioti” në Durrës, pastruan disa zona të qytetit bregdetar, pikës më tërheqëse për turizmin në Shqipëri.
Në një aksion që zgjati më shumë se dy orë, nxënësit durrsakë, mësuesit e tyre, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore, Eagle Mobile, ministrive të Arsimit dhe Mjedisit, pastruan një nga zonat më të frekuentuara të Durrësit gjatë sezonit turistik. Të pajisur me mjete pro-mjedisore për pastrimin, mbledhjen dhe grumbullimin e hedhurinave, të rinjtë tërhoqën edhe vëmendjen e banorëve të Durrësit që e mirëpritën këtë aksion.
“është një kënaqësi të kontribuosh për komunitetin. Kjo qëndron në thelb të përgjegjësisë tonë sociale. çdo të premte ne do të jemi në një qytet, duke nisur sot me Durrësin e më pas me Lezhën, Vlorën, Tiranën, Kamzën dhe Pogradecin. Falënderojmë shumë Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Mjedisit për mbështetjen që po i japin këtij projekti”, tha zv/drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile, z. Bulent Dorttepe.
Drejtori i arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, z. Fatmir Vejsiu, tha se “ky është një veprim simbolik për të sensibilizuar të rinjtë dhe komunitetin”. “Roli i medias në këtë pikë është shumë i rëndësishëm. Ne kemi angazhuar qindra nxënës në të gjithë vendin në këtë projekt”, tha z. Vejsiu, duke falënderuar edhe Eagle Mobile për këtë fushatë.
Zv/ministri i Mjedisit, z. Arben Demeti, e cilësoi këtë një fushatë për t’u përgëzuar. Ai tha se “Ministria e Mjedisit, përveçse mbështet të tilla projekte, ka edhe projekte të tjera lidhur me mbrojtjen e mjedisit dhe për të sensibilizuar qytetarët”.
Eagle Mobile e ka shpallur vitin 2010 si “Vit të Mjedisit” për kompaninë. Projekte të ndryshme, si mbjellje pemësh, restaurim parqesh, krijimi i parqeve me lojëra për fëmijë dhe fushata sensibilizimi janë ndërmarrë nga Eagle.
#