Më 29 maj, Internacionalja socialiste takim në Tiranë
Këshilli i Internacionales Socialiste do të zhvillojë një takim në Tiranë më 29 maj, ku kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe drejtuesi i socialistëve bullgarë do të jenë në panelin drejtues. Në këtë takim do të diskutohet në lidhje me temat e demokracisë, zhvillimit të rajonit tonë dhe po kështu theksi do të vihet edhe në zhvillimet e brendshme të vendeve të rajonit dhe sigurisht Shqipërisë. Në këtë takim të Internacionales pritet t’i jepet mbështetje edhe aksionit politik të opozitës, në lidhje me kauzën e saj për hapjen e kutive të votimit. Në këtë kuadër, dje vetë sekretari i përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ajala, shprehu shqetësimin e tij në lidhje me situatën politike në Shqipëri. Në një letër drejtuar anëtarëve të Komitetit për Europën Juglindore, Ajala thekson se në Shqipëri ende nuk janë zgjidhur çështjet që datojnë që në vitin 2009. “Si familja jonë politike ashtu edhe komuniteti ndërkombëtar dëshirojnë të shikojnë një zgjidhje paqësore të situatës”, thekson drejtuesi i lartë i Internacionales Socialiste për situatën në Shqipëri.
#