E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Agrobiznesit kërkon zbatimin e amnistisë fiskale

TIRANE- Zbatimi i amnistisë fiskale i kërkuar nga komuniteti i biznesit pritet të clirojë asete me vlera të konsiderueshme edhe në sektorin e bujqësisë, duke stimuluar zhvillimin e kësaj dege të ekonomisë. Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar Enver Ferizaj bën të ditur se në kuadër të amnistisë do të bëhet legalizim asetesh në sektorin agropërpunes por edhe nga emigrantët që kanë mundësi të investojnë në bujqësi.

“Sipas të dhënave që kemi ne, shumë biznese që janë të shtrira në agropërpunim. Ne kemi fermerë të cilët kanë punuar në emigracion dhe mundet ti transferojnë të gjithë ato kapitale në vlerë monetare dhe pse jo ti investojnë në vendin tonë. Ne duhet të kemi amnisti fiskale të shtrirë në kohë, përshembull 1 vit per 2 vjet. ” u shpreh Kryetari i KASH-it.

Këshilli i Agrobiznesit konsideron një ndihmë për sipërmarrjen private edhe ngritjen sa më shpejt ë Gjykatës Administrative, si institucion i pavarur që do të shqyrtojë konfliktet shtet- biznes.
Bujqësia konsiderohet si një ndër sektorët bazë të ekonomisë sonë për shkak edhe të faktit se në zonat rurale jeton ende mbi 40% e popullsisë. Ky sektor është konsideruar prioritar jo vetëm në buxhetin e këtij viti por edhe në strategjinë afatmesme të zhvillimit.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›