Meta: Po përgatitemi për zgjedhjet vendore
Lëvizja Socialiste për Integrim po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme vendore. Kështu deklaroi dje nga qyteti i Lushnjës kreu i LSI-së, njëherësh edhe zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm, Ilir Meta. Gjatë takimit, ku shoqërohej nga nënkryetari Dritan Prifti, Meta tha se LSI-ja është forcë kryesore në qytetin e Lushnjës. Në bashkëbisedimin me anëtarët dhe simpatizantët e kësaj force politike, ai u ndal në procesin e strukturimit të partisë. Duke theksuar domosdoshmërinë e përmirësimin e Kodit Zgjedhor, Kryetari i LSI-së u shpreh se “LSI ka filluar punën për përgatitjen e një platforme për përmirësimin e Kodit Zgjedhor duke riparuar defektet e vëna re gjatë zgjedhjeve të 2009-ës”. Ai theksoi në të njëjtën kohë se ky përmirësim duhet të bazohet mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR në raportin e saj për zgjedhjet e fundit parlamentare në vend. Në fjalën e tij ministri i Jashtëm është ndalur gjerësisht në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe reformat integruese që përbëjnë angazhimin kryesor të kësaj Qeverie. Meta u shpreh se koalicioni midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim është garancia e qytetarëve për realizimin e këtyre reforma. Duke konsideruar vitin 2010 si vitin më të rëndësishëm përsa i përket konkretizimit të reformave dhe proceseve integruese të vendit, Meta ftoi opozitën sërish nga qyteti i Lushnjës që të kryej rolin e saj, “jo vetëm në përmbushjen e standardeve të BE-së, por edhe në realizimin e aspiratave të qytetareve shqiptarë dhe vet votuesve të saj”.