E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Akreditimit, MASH hap aplikimet për 3 anëtarë ekspertë



Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpall kërkesën për aplikim për 3 anëtarë ekspertë që do të bëjnë pjesë në Këshillin e Akreditimit të Arsimit të Lartë. Njëkohësisht, ministria ka përcaktuar kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët. Kandidatët duhet të kenë titullin “Profesor”, duhet të jenë anëtarë të personelit të brendshëm akademik të një Institucioni të Arsimit të Lartë dhe të mos jenë autoritet drejtues si Rektor, Zëvendësrektor apo Dekan. Aplikimi do të bëhet në MASH, deri në 22 gusht 2008, pranë Drejtorisë së Politikave të Arsimit të Lartë. MASH-i vlerëson pjesëmarrjen e forcave akademike më të kualifikuara në këtë aplikim për anëtarë të Këshillit të Akreditimit të Arsimit të Lartë, i cili ka një rol thelbësor në akreditimin e Institucioneve dhe programeve të arsimit të lartë publik e privat në Republikën e Shqipërisë.

Përfundon prokurimi për 104 medikamente që do të shpërndahen në QSUT

Përfundojnë procedurat e prokurimit për 104 medikamente që do të shpërndahen në spitale. Ndërkohë që nevojat e domosdoshme të mbulimit të spitaleve me medikamente kanë qenë 183 medikamente. Fondi për nevojat spitalore është 845 568 000 lekë. Mungesa e medikamenteve në spitale ka qenë problemi më shqetësues për bluzat e bardha dhe pacientët, të cilët këtë vit kanë pasur mungesa të dukshme, por që ende pritet të vazhdojë e njëjta situatë për shkak të mungesës së tenderimit të disa medikamenteve të tjera. Zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë, Zhaneta Tomçini, sqaroi se nisur nga numri i kompanive që i kanë regjistruar këto medikamente për qarkullim në territorin e Shqipërisë, 88 medikamente me një fond prej 489 080 200 lekë u prokuruan me procedurën “me negocim pa shpallje të njoftimit”, pasi rezultonin të regjistruara nga një kompani e vetme dhe nuk arrihet konkurrenca për të përdorur procedurat e hapura të prokurimit. Ndërsa 96 medikamente të tjerë me një fond limit prej 356 488 000 lekë, u prokuruan nëpërmjet procedurave të hapura elektronike. Sipas burimeve nga Ministria e Shëndetësisë në përfundim të këtyre procedurave, të cilat u zhvilluan gjatë muajit korrik, u arrit që të shpalleshin oferta fituese 20 kompani farmaceutike për kontraktimin e 104 medikamenteve me një vlerë prej 688 170 600 lekë nga 707 387 800 lekë që ishte fondi limit i planifikuar. Këtë vit, mungesat e medikamenteve në QSUT, vunë në krizë gjithë Ministrinë e Shëndetësisë, pasi mjekët nuk kishin mundësi të kuronin pacientët e tyre. Mjekët pohojnë se iu është dashur që t’i dërgojnë pacientët të blejnë vetë medikamentet në farmaci, pasi spitalet nuk kishin mundësi kurimi. Madje në krizë u vendosën edhe rastet e urgjencave, kur edhe në rastet më emergjence nuk përballoheshin me medikamente apo barna.

Reagimi, gjaku i dhuruar është i sigurt

Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut garanton se gjaku, i cili përdoret për transfuzion është i sigurt dhe i testuar. Problemi me bankat e gjakut është i njohur për raste sporadike infektimi, pasi dhuruesi gjatë periudhës e cila njihet nga mjekësia si periudha dritare, prej 6 muajsh, mund të ndodhë që të infektohet. Në kuadrin e strategjisë kombëtare të gjakut të sigurt, për të minimizuar këto raste të cilat pjesa më e madhe vijnë nga dhuruesit me pagesë, këta dhurues brenda vitit 2010 do të eliminohen dhe gjaku për transfuzion do të dhurohet nga vullnetarë, punonjës institucionesh, forcat e armatosura dhe familjarë, për të mbuluar të gjitha kërkesat e mjekësisë shqiptare. “Pasiguria e gjakut është një problem në të gjithë botën jo vetëm në Shqipëri dhe kjo është e lidhur me periudhën dritare dhe mos testimin e gjakut për agjente infektivë. Në strategjinë kombëtare kundrejt transfuzionit të gjakut të sigurt është parashikuar që në vitin 2010 ne të mos kemi më dhënës me pagesë, por kjo do të bëhet duke shtuar dhuruesit familjarë ose vullnetarë dhe duke hequr dhuruesit me pagesë”, ka deklaruar drejtoresha në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut Irena Çombo.

9 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›